Politikani i ekstremit të djathtë, i njohur për djegien e kopjeve të Kuranit, dënohet me burg në Suedi
Duke folur për televizionin shtetëror të Suedisë, Paludan tha se do të kundërshtojë vendimin dhe do ta çojë në një gjykatë më të lartë
Stockholm
Lideri i partisë politike daneze "Stram Kurs" (Linja e Ashpër), Rasmus Paludan është dënuar me 4 muaj burg, për krim të urrejtjes pasi i ka fyer muslimanët gjatë djegies së kopjeve të Kuranit në qytetin Malmö të Suedisë në vitin 2022, transmeton Anadolu.
Në njoftimin e Gjykatës Rajonale thuhet se Paludan, i cili u gjykua për krim të urrejtjes me arsyetimin se në vitin 2022 përdori fjalë nënçmuese dhe mosrespektuese ndaj muslimanëve, përderisa mbështillte Kuranin me proshutë derri dhe e dogji atë, u dënua me 4 muaj burg.
Paludan nuk dëshmoi për rastin, ndërsa ndaj tij nga Prokuroria e Malmös u lëshua urdhër arresti. Ai as sot nuk ishte i pranishëm në seancë. Duke folur për televizionin shtetëror të Suedisë, Paludan tha se do të kundërshtojë vendimin dhe do ta çojë në një gjykatë më të lartë.
Ai gjithashtu tha se më nuk do të shkojë në Suedi.
- Incidentet e pashkëve
Politikani danez i ekstremit të djathtë dhe lideri i Partisë "Stram Kurs", Rasmus Paludan, dogji disa herë Kuranin në qytetet suedeze Malmö, Norköpin, Jönköping dhe kryeqytetin suedez Stokholm gjatë festës së Pashkëve në vitin 2022.
Protestuesit të cilët dëshironin ta ndalonin Paludan-in kishin sulmuar policinë me gurë dhe kishin djegur goma. Në incidente u plagosën 104 policë dhe 14 protestues ndërsa 20 automjete të policisë ishin dëmtuar.
Paludan dogji Kuranin edhe përpara ambasadës turke në Stokholm më 21 janar dhe asaj në Kopenhagë më 27 janar.
Ndërkaq, Danimarka më 7 dhjetor 2023 miratoi një projektligj që e bën të paligjshme djegien e librave të shenjtë dhe sulmin ndaj tyre.
Personat që shkelin ligjin mund të dënohen me gjobë ose me burgim deri në dy vjet.