Bota

Polonia dhe Republika Çeke kërkojnë reforma në strategjinë e BE-së për imigracionin

Kryeministri polak tha se duhet të bindin partnerët e tjerë të bllokut evropian se detyra e BE-së është “të mbrojë kufijtë e jashtëm dhe të reduktojë emigrimin e paligjshëm në minimum”

Jo Harper  | 09.10.2024 - Përdıtësım : 10.10.2024
Polonia dhe Republika Çeke kërkojnë reforma në strategjinë e BE-së për imigracionin Foto: AA/Arkiv

Varshavë

Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, ka deklaruar se vendi i tij dhe Republika Çeke po kërkojnë së bashku reforma në politikën aktuale të Bashkimit Evropian (BE) për imigracionin, transmeton Anadolu.

Në një konferencë për media në Pragë së bashku me homologun e tij çek, Petr Fiala, kryeministri polak tha se duhet të bindin partnerët e tjerë të bllokut evropian se detyra e BE-së është “të mbrojë kufijtë e jashtëm dhe të reduktojë emigrimin e paligjshëm në minimum”.

“Gabim është të kërkosh mekanizma për t’i lëvizur poshtë e lartë emigrantët e paligjshëm”, tha Tusk, duke iu referuar vendimit të fundit të Gjermanisë për pezullimin e pjesshëm të rregullave të Shengenit, që normalisht nënkupton hapjen e kufijve brenda bllokut 27-anëtarësh.

“Çdo ditë, mijëra ushtarë luftojnë kundër presionit të organizuar nga regjimi i Lukashenko-s (presidentit bjellorus)”, shtoi ai, duke iu referuar Bjellorusisë që i shtyn emigrantët drejt kufijve të Polonisë.

“Kjo është më shumë si një peizazh lufte, jo një politikë normale kufitare. Në këtë kufi dëgjohen çdo ditë të shtëna, prandaj strategjia polake sigurisht që do të kërkojë ndryshime në paradigmat e politikës evropiane. Ne nuk do të dorëzohemi, faleminderit që e keni kuptuar plotësisht këtë”, theksoi më tej Tusk.

Kryeministri polak gjithashtu tha se këtë të shtunë Varshava do të shpallë strategjinë e saj shumëvjeçare të imigracionit për të luftuar emigrimin e paligjshëm, respektivisht për BE-në në tërësi.

“Në këtë, Polonia mund të llogarisë Republikën Çeke dhe Republika Çeke mund të llogarisë Poloninë”, tha Tusk.

Në muajin prill, BE-ja kompletoi reformën e shumëpritur të politikës së saj të imigracionit dhe azilit, me rregullore që përbëjnë Paktin e Ri për Imigracionin dhe Azilin, bazuar në “solidaritetin e detyrueshëm” që do t’u jepte qeverive tre opsione për të menaxhuar azilkërkuesit, respektivisht zhvendosjen e disave, pagesën prej 20 mijë eurosh për secilin që refuzon ose financimi i mbështetjes operative.

Polonia, Hungaria dhe Austria votuan kundër paketës së përgjithshme të legjislacionit, duke pretenduar se kjo do t’i detyronte ata të pranojnë emigrantë kundër vullnetit të tyre, ndërsa Republika Çeke dhe Sllovakia abstenuan në shumicën e masave.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.