Popullsia e Koresë së Jugut rrezikon të përgjysmohet në 60 vitet e ardhshme
OECD ia atribuoi shkallën e ulët të lindjeve në Korenë e Jugut kostove të larta të arsimit, orëve të gjata të punës, fleksibilitetit të kufizuar të orarit të punës dhe sfidave të balancimit të punës dhe jetës familjare

Istanbul
Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD) ka paralajmëruar se norma e ulët e alarmante e lindjeve në Korenë e Jugut mund të çojë që popullsia e vendit të përgjysmohet në 60 vitet e ardhshme, transmeton Anadolu.
Në një raport të botuar së fundmi, OECD tha se shkalla e fertilitetit të Koresë së Jugut prej 0.72 fëmijësh në grua në vitin 2023 është më e ulëta në botë.
Ky është raporti i parë zyrtar i OECD-së që trajton rënien e nivelit të lindjeve në Korenë e Jugut.
Nëse niveli i lindjeve mbetet në nivelin aktual, popullsia e vendit pritet të përgjysmohet gjatë dekadave të ardhshme.
Gjithashtu njerëzit e moshës 65-vjeç e lart deri në vitin 2082 pritet të përfaqësojnë rreth 58 për qind të popullsisë së përgjithshme.
Raporti i varësisë së të moshuarve pritet të rritet nga 28 për qind në 155 për qind, që do të thotë se një person në moshë pune do të duhet të mbështesë 1.5 individë të moshuar.
OECD ia atribuoi shkallën e ulët të lindjeve në Korenë e Jugut kostove të larta të arsimit, orëve të gjata të punës, fleksibilitetit të kufizuar të orarit të punës dhe sfidave të balancimit të punës dhe jetës familjare.
Koreja e Jugut, me një popullsi prej rreth 51.7 milionë banorësh, u bë zyrtarisht një komb "super i moshuar" në fund të vitit 2023, me 20 për qind të popullsisë së saj të moshës 65-vjeç e lart. Ky vend vazhdon të përballet me sfida që kanë të bëjnë me popullsinë e tij të plakur.