Predhat e pashpërthyera dhe mbetjet e municioneve vazhdojnë të përbëjnë rrezik për banorët e Gazës
Ekipet palestineze po punojnë për të pastruar municionet e pashpërthyera, duke përfshirë predha, granata dhe bomba që kishin rënë gjatë sulmeve izraelite
Shkup
Predhat e pashpërthyera dhe mbetjet e eksplozivëve vazhdojnë të përbëjnë rrezik për popullatën e Rripit të Gazës pas armëpushimit.
Anadolu ka dokumentuar mbetjet e municioneve dhe eksplozivëve të lëna pas nga sulmet e ushtrisë izraelite në rajon. Në Rafah, qytet në Gazën jugore, ekipet palestineze po punojnë për të pastruar municionet e pashpërthyera, duke përfshirë predha, granata dhe bomba që kishin rënë gjatë sulmeve izraelite.
Municionet janë në pritje për t’u neutralizuar.
Marrëveshja e armëpushimit në Gaza hyri në fuqi më 19 janar, duke ndalur luftën gjenocidale të Izraelit që ka vrarë të paktën 47.000 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, dhe ka plagosur më shumë se 110.700 që nga 7 tetori 2023.
Marrëveshja prej tre fazash e armëpushimit përfshin shkëmbimin e të burgosurve dhe qetësi të qëndrueshme, duke synuar një armëpushim të përhershëm dhe tërheqjen e forcave izraelite nga Gaza.
Sulmet izraelite kanë lënë më shumë se 11.000 njerëz të zhdukur, me shkatërrim të gjerë dhe një krizë humanitare që ka marrë jetën e shumë të moshuarve dhe fëmijëve në një nga fatkeqësitë më të këqija humanitare globale.
Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhra arresti në nëntor të vitit të kaluar për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e tij të mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në enklavën palestineze.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.