Premtohen 5,8 miliardë euro për Sirinë në konferencën e donatorëve në Bruksel
Bashkimi Evropian dhe vendet anëtare mbeten donatori më i madh, duke zënë 80 për qind të zotimit për grante, tha komisionerja evropiane Dubravka Suica

Istanbul
5,8 miliardë euro u premtuan për ndihmë për Sirinë në konferencën e 9-të vjetore të donatorëve të mbajtur sot në Bruksel, raporton Anadolu.
“Kam nderin të njoftoj se së bashku, ne kemi premtuar gjithsej 5,8 miliardë euro grante dhe kredi, si dhe 4,2 miliardë euro grante dhe 1,6 miliard euro kredi”, tha komisionerja e BE-së Dubravka Suica.
Ajo theksoi gjithashtu se Bashkimi Evropian dhe vendet anëtare mbeten donatori më i madh, duke zënë 80 për qind të zotimit për grante.
“Përtej granteve, institucionet financiare ndërkombëtare dhe donatorët kanë shpallur kredi me koncesion në vlerën 1,6 miliard euro”, shtoi Suica.
Ajo shprehu “mirënjohjen e përzemërt” të komisionit për përpjekjet e pjesëmarrësve në mobilizimin e burimeve dhe eksplorimin e mënyrave për të mbështetur Sirinë dhe vendet e saj fqinje.
“Kontributet tuaja riafirmojnë mbështetjen e fortë dhe të palëkundur të komunitetit ndërkombëtar për popullin e Sirisë, kjo mbështetje shtrihet në mënyrë të barabartë për refugjatët sirianë, vendet pritëse dhe komunitetet pritëse në rajon gjatë kësaj kohe kritike ndryshimi për Sirinë”, ripohoi Suica.
Ajo theksoi gjithashtu se rënia e regjimit të Asadit në dhjetorin e kaluar ishte një “mundësi historike” për të siguruar një “të ardhme më të mirë për të gjithë sirianët, për të mbështetur procesin e tranzicionit dhe për të ndihmuar ribashkimin, stabilizimin dhe rindërtimin e vendit”.
Shefja e Komisionit të BE-së Ursula von der Leyen njoftoi më herët gjatë ditës se BE-ja do të rrisë premtimin e saj për sirianët në rreth 2,5 miliardë euro për vitet 2025 dhe 2026.
Që nga viti 2017, BE-ja ka mbajtur konferencë vjetore donatorësh në mbështetje të Sirisë, gjatë së cilës blloku ofron grante dhe ndihmë për Sirinë e shkatërruar nga lufta dhe për vendet që strehojnë refugjatë sirianë.
Në konferencën e këtij viti po merr pjesë ministri i Jashtëm sirian Asaad Al-Shaibani.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.