Bota

Presidenti Begaj takon nënkryetarin e Parlamentit të Malit të Zi, Nikollë Camaj

Në një njoftim nga Presidenca e Shqipërisë thuhet se gjatë takimit është biseduar mbi zhvillimet në shtetin fqinj me fokus rolin e faktorit politik të shqiptarëve dhe situatën e tyre

Fatjon Cuka  | 18.03.2025 - Përdıtësım : 19.03.2025
Presidenti Begaj takon nënkryetarin e Parlamentit të Malit të Zi, Nikollë Camaj Foto: Presidenca e Shqipërisë

Tiranë

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj priti sot në një takim nënkryetarin e Parlamentit të Malit të Zi, Nikollë Camaj, transmeton Anadolu.

Në një njoftim nga Presidenca e Shqipërisë thuhet se gjatë takimit është biseduar mbi zhvillimet në shtetin fqinj me fokus rolin e faktorit politik të shqiptarëve dhe situatën e tyre.

Gjithashtu theksohet se presidenti Begaj vlerësoi përpjekjet që kanë ndërmarrë liderët shqiptarë në Mal të Zi "në dobi të shqiptarëve autoktonë në Malin e Zi".

"Gjatë bisedës u shkëmbyen mendime për rritjen e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve në dobi të qytetarëve, me theks të veçantë në projektet ndërlidhëse të shqiptarëve në të dyja anët e kufirit, forcimin politik e ekonomik të shqiptarëve që jetojnë në Malin e Zi", thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, presidenti Begaj i vlerësoi si të shkëlqyera marrëdhëniet midis dy vendeve, "gjë që u dëshmua edhe gjatë vizitës zyrtare që Presidenti i Republikës zhvilloi muajin e kaluar në Malin e Zi, i ftuar nga homologu i tij, Jakov Milatoviq".

Begaj u ndal gjatë takimit edhe në intensifikimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy shteteve, si dhe forcimin e lidhjeve ndërajonale dhe euroatlantike, që sipas njoftimit, sjellin zhvillim të qëndrueshëm dhe përmirësim të jetës së qytetarëve.

Ndërkohë, Begaj ka pritur në një takim gjatë ditës së sotme edhe zëvendëskryeministrin dhe ministrin kroat të Mbrojtjes, Ivan Anushiq.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın