Presidenti Erdoğan kërkon nga NATO-ja t’i kushtojë vëmendje rishikimit të doktrinës bërthamore të Rusisë
Sipas presidentit Erdoğan, raketat e përdorura nga Ukraina së fundmi tregojnë se ku ka arritur dhe ku do të arrijë kjo situatë. Ai shtoi se "këto nuk janë zhvillime pozitive"
Istanbul
Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, ka kërkuar nga NATO-ja t’i kushtojë vëmendje rishikimeve të fundit të Rusisë në doktrinën e saj bërthamore, raporton Anadolu.
"Ne nuk mund të zbulojmë se ka një aspekt pozitiv të një lufte në të cilën përdoren armë bërthamore. Zyrtarët e NATO-s duhet të diskutojnë mbi këtë hap të ndërmarrë nga Rusia dhe ta rishikojnë atë", tha Erdoğan në një konferencë për media në samitin e G20-tës në Rio de Janeiro të Brazilit.
Sipas presidentit Erdoğan, raketat e përdorura nga Ukraina së fundmi tregojnë se ku ka arritur dhe ku do të arrijë kjo situatë. Ai shtoi se "këto nuk janë zhvillime pozitive".
"Unë mendoj se deklarata e Rusisë është para së gjithash një masë paraprake kundër armëve konvencionale, kundër një sjelljeje të drejtuar kundër vetvetes", tha ai.
"Rusia ka fuqinë dhe masat për të mbrojtur veten. Në mënyrë të ngjashme, si një vend i NATO-s, ne duhet të mbrohemi dhe të ndërmarrim hapa për të mbrojtur veten”, theksoi presidenti turk.
Doktrina e re thotë se Rusia mund të konsiderojë përdorimin e armëve bërthamore nëse i nënshtrohet një sulmi raketor konvencional të mbështetur nga një fuqi bërthamore. Përditësimi u propozua në muajin shtator dhe u nënshkrua në ligj sot, ditën e 1000-të të luftës me Ukrainën.
Ndryshimi vjen pasi presidenti amerikan, Joe Biden, lejoi Ukrainën të përdorë raketa me rreze të gjatë veprimi amerikane për të goditur thellë Rusinë.
- Türkiye ka vullnet dhe aftësi për të lehtësuar bisedimet
Më tej, presidenti Erdoğan shprehu pozicionin e Türkiyes si fqinj si me Ukrainën ashtu edhe me Rusinë, duke theksuar angazhimin e vendit për të ruajtur marrëdhëniet me të dyja palët.
Ai po ashtu theksoi se "mundësia historike" e paraqitur nga marrëveshja e Istanbulit në muajt e parë të luftës u shpërdorua dhe se kjo shkaktoi gati gjysmë milioni vdekje dhe një krizë energjetike dhe ushqimore që prek të gjithë njerëzimin.
Duke u kërkuar të gjitha palëve të ndërmarrin hapa drejt dhënies fund të konfliktit, presidenti Erdoğan gjithashtu përsëriti gatishmërinë e Türkiyes për të ndërmjetësuar mes dy palëve.
“Türkiye që nga dita e parë e luftës mbetet e përgatitur për të marrë çdo rol lehtësues midis palëve. Ne kemi vullnetin dhe aftësinë për ta bërë këtë. Shpresoj se mund të arrijmë sa më parë një armëpushim të qëndrueshëm midis Ukrainës dhe Rusisë, duke siguruar paqen që bota po pret”, tha Erdoğan.
Erdoğan foli gjithashtu edhe për pozicionin e Türkiyes në lidhje me ofertën e partneritetit nga grupi BRICS. Ai tha se Türkiye po e vlerëson në mënyrë aktive propozimin dhe siguron përgjigjen e nevojshme kur bëhet fjalë për "një pikë të caktuar".
Presidenti Erdoğan mori pjesë në samitin e liderëve të G20-tës në Rio de Janeiro të Brazilit, ku u takua me liderë duke përfshirë kryeministrin e Malajzisë, Anwar Ibrahim, presidentin francez, Emmanuel Macron, kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, presidentin indonezian, Prabowo Subianto, presidentin e Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa, kryeministrin spanjoll, Pedro Sanchez dhe kryeministri australian, Anthony Albanese.
Erdoğan zhvilloi bisedime të shkurtra edhe me homologun e tij amerikan, Joe Biden, presidentin e Kinës, Xi Jinping, presidenten meksikane, Claudia Sheinbaum, presidentin e Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol, kryeministrin e Vietnamit, Pham Minh Chinh dhe presidentin e Egjiptit, Abdel Fattah al-Sisi.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.