Bota

Presidenti iranian: Marrëdhëniet mes Iranit dhe Rusisë po forcohen çdo ditë

Duke folur para takimit e presidentin rus Vladimir Putin, Pezeshkian tha se marrëdhëniet dypalëshe dhe rajonale mes Iranit dhe Rusisë po forcohen çdo ditë

Haydar Şahin  | 17.01.2025 - Përdıtësım : 17.01.2025
Presidenti iranian: Marrëdhëniet mes Iranit dhe Rusisë po forcohen çdo ditë

Ankara

Presidenti iranian, Masoud Pezeshkian, i cili ndodhet në Moskë në kuadër të vizitës së tij zyrtare, u takua me presidentin rus Vladimir Putin në Pallatin e Kremlinit në kryeqytet, transmeton Anadolu.

Sipas agjencisë zyrtare të lajmeve të Iranit IRNA, presidenti iranian, i cili ishte në Moskë me një delegacion ministrash dhe zyrtarësh iranianë, u takua me presidentin rus Putin.

Duke folur para takimit, Pezeshkian tha se marrëdhëniet dypalëshe dhe rajonale mes Iranit dhe Rusisë po forcohen çdo ditë.

Pezeshkian deklaroi se sot do të nënshkruhet Marrëveshja Gjithëpërfshirëse e Bashkëpunimit Strategjik, për të cilën është punuar për shumë vite. "Në kuadër të këtij plani, ne do të mund të forcojmë marrëdhëniet tona me Rusinë në fushën e sigurisë, ekonomisë, kulturës dhe tregtisë", tha ai.

Presidenti iranian vuri në dukje se janë eliminuar të gjitha pengesat e mundshme për bashkëpunimin dypalësh dhe se janë të vendosur për zbatimin e marrëveshjeve që kanë bërë.

Marrëveshjet në fjalë janë shqyrtuar nga ministra dhe ekspertë iranianë dhe rusë dhe janë finalizuar, tha Pezeshkian, duke theksuar se "Shpresojmë që këto marrëveshje të nënshkruhen nga të dyja palët në takimin e sotëm".

Ai theksoi se me problemet rajonale duhet të merren vendet e rajonit. "Nuk ka nevojë të vijnë nga skaji tjetër i botës, të trazojnë rajonin dhe të imponojnë politikat e tyre. Pa dyshim, këto bashkëpunime (bashkëpunime rajonale) do të prishin planet e tyre", shtoi ai.

Pas takimit mes presidentit iranian dhe Putinit, pritet të nënshkruhet Marrëveshja Gjithëpërfshirëse e Bashkëpunimit Strategjik mes dy vendeve. Negociatat për marrëveshjen kanë vazhduar për rreth 3 vjet.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.