Politikë, Bota

Presidenti rus takon homologun iranian në Moskë

Putin tha se gjatë takimit do të nënshkruhet një marrëveshje gjithëpërfshirëse e partneritetit strategjik ndërmjet Rusisë dhe Iranit

Dmitri Chirciu  | 17.01.2025 - Përdıtësım : 17.01.2025
Presidenti rus takon homologun iranian në Moskë

Moskë

Presidenti rus Vladimir Putin ka takuar homologun iranian Masoud Pezeshkian në Moskë, raporton Anadolu.

Putin dhe Pezeshkian bënë deklarata gjatë pjesës së hapur për shtyp të takimit që u mbajt në Pallatin e Kremlinit.

Duke theksuar se vizita e Pezeshkianit në Rusi mbart një rëndësi të veçantë, Putin tha se gjatë takimit do të nënshkruhet një marrëveshje gjithëpërfshirëse e partneritetit strategjik ndërmjet Rusisë dhe Iranit.

"Ne kemi punuar për këtë marrëveshje për një kohë të gjatë. Më vjen mirë që punimet kanë përfunduar. Kjo është e rëndësishme sepse do t'i japë shtysë bashkëpunimit në të gjitha fushat. Jam i sigurt se kjo do të kontribuojë në zhvillimin e lidhjeve tregtare dhe ekonomike", tha Putin.

Duke shprehur kënaqësinë për zhvillimin e marrëdhënieve midis Rusisë dhe Iranit, Putin tha se "Vëllimi i tregtisë dypalëshe u rrit me 15,5 për qind në 10 muajt e parë të vitit 2024".

Putin ndau informacione se gjatë takimit me Pezeshkian do të diskutohen çështje ndërkombëtare dhe rajonale dhe marrëdhëniet dypalëshe.

- "Marrëveshja me Rusinë do të përshpejtojë zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe"

Presidenti iranian Pezeshkian deklaroi gjithashtu se marrëdhëniet me Rusinë janë në një nivel strategjik gjithëpërfshirës dhe shtoi se "Ne do të vazhdojmë kontaktet tona në mënyrë të fuqishme".

Duke vënë në dukje se marrëveshja gjithëpërfshirëse e partneritetit strategjik që do të nënshkruajnë me Rusinë mbulon të gjitha fushat e marrëdhënieve dypalëshe, Pezeshkian tha se "kjo do të përshpejtojë shumë zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe do të krijojë një bazë solide për të ardhmen"

Pasi njoftoi se kanë shqyrtuar disa marrëveshje të bëra me Rusinë para vizitës në Moskë, Pezeshkian shtoi: "Ka disa gabime dhe vonesa në këto. Ne u përpoqëm t'i eliminojmë".

Pezeshkian u shpreh se problemet në rajon duhet të zgjidhen vetëm në kuadër të marrëveshjeve mes vendeve të rajonit, duke theksuar se "prania e forcave të jashtme në rajonin tonë do të përkeqësojë dhe destabilizojë situatën".

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.