Presidenti sirian al-Sharaa takon kryeministrin irakian në Doha
Takimi trepalësh, i mbajtur në prani të emirit të Katarit, trajtoi situatën e paqëndrueshme rajonale, veçanërisht zhvillimet e vazhdueshme në Siri
Doha
Presidenti sirian, Ahmad al-Sharaa, është takuar me kryeministrin irakian, Mohammed Shia Al-Sudani, gjatë një vizite të shkurtër në Katar në fillim të kësaj jave, të lehtësuar nga Emiri i Katarit, Tamim bin Hamad Al Thani, transmeton Anadolu.
Siç raporton agjencia irakiane e lajmeve INA duke cituar një burim të lartë të qeverisë irakiane, takimi trepalësh, i mbajtur në prani të emirit të Katarit, trajtoi situatën e paqëndrueshme rajonale, veçanërisht zhvillimet e vazhdueshme në Siri.
Burimi nuk specifikoi datën e saktë të takimit, por al-Sharaa dhe presidenti libanez, Joseph Aoun, ishin në Katar të martën.
Asnjë prononcim zyrtar nga Katari apo Siria akoma nuk janë lëshuar lidhur me takimin.
Al-Sudani theksoi "monitorimin e afërt të Irakut për zhvillimet e Sirisë, duke përfshirë praninë e forcave okupuese izraelite në tokën siriane".
Ai përsëriti qëndrimin e palëkundur të Irakut, duke mbrojtur një proces politik gjithëpërfshirës në Siri që mbron komponentët e tij të ndryshëm shoqëror, fetarë dhe kombëtarë.
Kryeministri irakian, sipas agjencisë INA, po ashtu bëri thirrje për mbrojtjen e vendeve të shenjta, vendeve të adhurimit dhe të drejtat e të gjitha komuniteteve siriane.
Burimi irakian tha se Al-Sudani në mënyrë specifike kërkoi respektimin e të drejtave të njeriut, duke përmendur incidentet e fundit që përfshijnë komunitetin alavit të Sirisë.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
