Esra Tekin, Diyar Güldoğan
22 shtator 2026•Përditësim: 22 shtator 2026
Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan dhe Emiri i Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad al-Thani, të martën diskutuan për çështje rajonale dhe globale, si dhe për marrëdhëniet dypalëshe, në një takim me dyer të mbyllura në margjinat e sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, njoftoi Drejtoria e Komunikimeve, transmeton Anadolu.
Presidenti Erdogan tha gjatë takimit se Turqia dhe Katari do të vazhdojnë të punojnë për avancimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe në të gjitha fushat, veçanërisht në investime, tregti, energji dhe industrinë e mbrojtjes.
Erdogan tha se zhvillimet që ndikojnë negativisht në furnizimet me energji në rajon po krijojnë vështirësi për të gjithë, duke theksuar rëndësinë e avancimit të bashkëpunimit në fushën e energjisë dhe korridoreve të transportit.
Duke vënë në dukje këmbënguljen e Izraelit për të mos ndërmarrë hapa drejt paqes në Gaza, Erdogan theksoi rëndësinë e presionit të fortë nga komuniteti ndërkombëtar për të frenuar agresionin izraelit në rajon.
Në takim morën pjesë gjithashtu ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan, ministri i Energjisë dhe Burimeve Natyrore Alparslan Bayraktar, ministri i Tregtisë Omer Bolat, shefi i inteligjencës Ibrahim Kalin dhe zyrtarë të tjerë.