Presidentja meksikane: Pothuajse 20 mijë të dëbuar në Meksikë që kur Trump mori detyrën
“Deri më sot, që nga 20 janari i vitit 2025, janë kthyer gjithsej 19.663 persona, ndër ta 15.600 shtetas meksikanë dhe 4.052 të huaj. Vetëm dje, 313 persona u dëbuan”, tha Sheinbaum

Mexico City
Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, ka njoftuar se afër 20 mijë njerëz janë dëbuar në Meksikë që kur presidenti amerikan, Donald Trump, mori detyrën më 20 janar, transmeton Anadolu.
“Deri më sot, që nga 20 janari i vitit 2025, janë kthyer gjithsej 19.663 persona, ndër ta 15.600 shtetas meksikanë dhe 4.052 të huaj. Vetëm dje, 313 persona u dëbuan”, tha Sheinbaum.
Trump e ka bërë dëbimin masiv një shenjë dalluese të platformës së tij të fushatës dhe administratës së tij që nga mandati i tij i parë në vitin 2016. Megjithatë, më shumë se një muaj pas marrjes së presidencës për herë të dytë, dëbimet mbeten nën ato të paraardhësve të tij demokratë.
Ritmi më i ngadalshëm se sa pritej ka nxitur një shtytje për burime shtesë, me Partinë Republikane që miratoi rezoluta në të dy dhomat e Kongresit për të siguruar buxhete më të mëdha për planet e dëbimit masiv të Trumpit.
Deri më 21 shkurt, administrata e Trumpit ka dëbuar më pak se 38 mijë emigrantë, një rënie e konsiderueshme nga mesatarja mujore prej 57 mijë e raportuar nën ish-presidentin Joe Biden.
Në të njëjtën ditë, Senati i SHBA-së miratoi një projekt-ligj që propozonte një rritje të konsiderueshme në buxhetin e Departamentit të Sigurisë Kombëtare, duke i zgjeruar shpenzimet deri në 175 miliardë dollarë. Ndërkohë, Dhoma e Përfaqësuesve miratoi një rezolutë buxhetore që cakton 90 miliardë dollarë shtesë për Komitetin e Sigurisë Kombëtare për përpjekjet për sigurinë kufitare.
Ish-presidenti Barack Obama ende mban rekordin për numrin më të madh të emigrantëve meksikanë të dëbuar në një muaj të vetëm, me 70 mijë dëbime gjatë mandatit të tij.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.