Presidentja Osmani mbajti fjalimin vjetor para deputetëve të Kosovës
Sipas Osmanit, anëtarësimi në Këshillin e Evropës, avancimi për aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE) dhe fillimi i procesit të anëtarësimit në NATO, duhet të jenë suksese në vitin 2025 për Kosovën
Prishtinë
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, në fjalimin vjetor të saj para deputetëve, ka thënë se edhe këtë vit është munduar të punojë në forcimin e shtetësisë së Kosovës, ruajtjes së paqes, fuqizimit të aleancave dhe përpjekjes për ta fuqizuar pozitën e Kosovës në arenën ndërkombëtare, raporton Anadolu.
Sipas Osmanit, anëtarësimi në Këshillin e Evropës, avancimi për aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE) dhe fillimi i procesit të anëtarësimit në NATO, duhet të jenë suksese në vitin 2025 për Kosovën.
Presidentja Osmani, duke folur rreth temave më të diskutuara gjatë këtij viti, ka thënë se ka kërkuar që drafti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë të diskutohet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), sepse nuk ka dashur që "ai t’i lihet në dorë njerëzve që vijnë nga shtete mosnjohëse e nuk besojnë pavarësinë e Kosovës".
"Kur unë kam propozuar që drafti i Asociacionit të fillohet të diskutohet me SHBA-në në mënyrë që kjo çështje të mos i lihet në dorë as Lajçakut as të tjerëve që nuk besojnë në pavarësinë e Kosovës, kjo nuk ka nënkuptuar asnjëherë që unë kam kërkuar themelim të Asociacionit. Por ka nënkuptuar se më shumë i kam besuar vetes sonë dhe SHBA-së sesa disa burokratëve nga shtete mosnjohëse", ka theksuar ajo.
- "Ende 424 ditë më pas nuk ka llogaridhënie e as drejtësi nga ana e Serbisë"
Presidentja Osmani ka përmendur edhe rastin e sulmit terrorist në Banjskë të Komunës së Zveçanit, ku tha se ende nuk ka llogaridhënie.
"Ende 424 ditë më pas nuk ka llogaridhënie e as drejtësi nga ana e Serbisë. Serbia vazhdon minimin e përpjekjeve të vendeve të tjera të rajonit për paqe, siguri dhe stabilitet të qëndrueshëm në rajon. Duke i shërbyer agjendës së Rusisë së (Vladimir) Putinit në format më perfide të luftës hibride në mbajtjen e tensioneve të vazhdueshme e duke synuar shkatërrimin e vendeve fqinje", theksoi Osmani.
Sa i përket procesit të dialogut Kosovë-Serbi, presidentja kosovare tha se ai ka qenë komplet i pabalancuar nga ana e BE-së, për çka ka kërkuar që të ketë reflektim nëse kërkohet paqe e qëndrueshme në rajon.
Për këtë, presidentja tha se fakti që në tavolinën e dialogut sot Serbia nuk është nën masa kurse viktima e agresionit, Kosova, është nën masa është dëshmia e kësaj mungese balanci.
- "Shqiptarët janë popull konstituiv në Maqedoninë e Veriut"
Ajo ka përmendur edhe shqiptarët në Maqedoninë e Veriut ku tha se "shqiptarët janë popull konstituiv në Maqedoninë e Veriut me kontribut determinues në demokratizimin dhe integrimin euroatlantik të vendit".
Derisa tha se në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc po bëhet spastrim etnik i shqiptarëve "nëpërmjet pasivizimit të adresave të banimit".
Fjalimin e presidentes Osmani e bojkotuan dy partitë opozitare Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.