Pretendohet se Izraeli po përgatit propozim për armëpushim në Liban "si dhuratë për Trumpin"
Ministri izraelit i Çështjeve Strategjike, Ron Dermer, i ka përcjellë presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump dhe dhëndrit të tij Jared Kushner, se duan të avancojnë marrëveshjen për armëpushim në Liban
Istanbul
Ministri izraelit i Çështjeve Strategjike, Ron Dermer, i ka përcjellë presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump dhe dhëndrit të tij Jared Kushner, se duan të avancojnë marrëveshjen për armëpushim në Liban, transmeton Anadolu.
Në lajmin e gazetës "The Washington Post", bazuar në tre zyrtarë aktualë dhe ish-izraelitë, pretendohet se Izraeli dëshiron të përshpejtojë marrëveshjen për armëpushim në Liban "për t'i dhënë Trumpit fitore të hershme të politikës së jashtme".
Thuhet se ministri izraelit, Dermer diskutoi mbi propozimin për armëpushim në Liban me Trumpin dhe dhëndrin e tij Kushner në SHBA të dielën. Më pas ai shkoi në Shtëpinë e Bardhë dhe diskutoi mbi negociatat aktuale lidhur me Libanin me zyrtarët e administratës së Bidenit.
Një zyrtar izraelit tha se "Ka një mirëkuptim që Izraeli në janar t'i japë Trumpit një dhuratë në lidhje me Libanin" ndërsa një zyrtar tjetër izraelit tha se "Bisedimet me Trumpin rezultuan në propozimin e Izraelit për një armëpushim në Liban, i cili përfshin bashkëpunimin me Perëndimin dhe Rusinë".
Sipas zyrtarëve izraelitë, një nga kushtet e ofertës për armëpushim ishte që Hezbollahu të tërhiqej përtej lumit Litani ndërsa një zyrtar ushtarak izraelit tha se ishin bërë plane për të shtuar sulmet tokësore në Liban nëse dështojnë bisedimet për armëpushim.
Pretendohet se sipas një burimi të afërt me Hezbollahun, "Hezbollahu është gati të tërhiqet në veri të lumit Litani në kuadër të një armëpushimi të përkohshëm". Bazuar në një zyrtar izraelit thuhet se "ushtria libaneze do të marrë kontrollin e kufirit të rajonit në 60 ditët e para, nën mbikëqyrjen e SHBA-së dhe Britanisë së Madhe".