Figen Shaban
09 Shkurt 2018•Përditësim: 10 Shkurt 2018
PRISHTINË (AA) - Agjencia e Menaxhimit Emergjent pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) të Kosovës në bashkëpunim me organizatën UNDP, ka organizuar një manifestim në sheshin “Skënderbeu” në qendër të Prishtinës, me rastin e Ditës Evropiane të "Numrit Emergjent 112", raporton Anadolu Agency (AA).
Me qëllim të sensibilizimit dhe vetëdijesimit të qytetarëve të Republikës së Kosovës, nxënësit nga Shkolla Fillore “ Afrim Gashi” nga Hajvalia, me flamujt dhe balonat me mbishkrimin e numrit emergjent 112 performuan duke brohoritur këtë numër.
Pjesëtarët e Policisë së Kosovës, njësive profesionale zjarrfikëse dhe të shpëtimit, Shërbimit Urgjent dhe ato të Kryqit të Kuq kanë shpërndarë fletushka informuese për fëmijët dhe qytetarët të cilët ishin prezent në këtë manifestim.
Koordinatori i Qendrës Operative Emergjente në Prishtinë pranë MPB-së, Mahir Hasani, duke folur për mediat theksoi se numri 112 funksionon në Kosovë 24 orë në ditë pa pagesë që nga viti 2002 nëpër qendrat operative.
“Sot në këtë aktivitet kanë marrë pjesë shërbimet emergjente, ato që ne i quajmë reaguesit e parë që në informacionet e para ju dalin në ndihmë qytetarëve. Ata janë Policia e Kosovës, shërbimi zjarrfikës dhe shërbimi i urgjencës dhe këto tri njësi i kemi këtu që ballafaqohen me problemet e qytetarëve drejtpërdrejt”, tha Hasani.
Hasani poashtu bëri të ditur se numri 112 mund të thirret nga çfarëdo operatori apo numri i cili ka rrjet dhe funksionon në Kosovë, duke shtuar se këtë numër mund ta thërrasin edhe shtetasit e huaj të cilët jetojnë në Kosovë nga operatorët e tyre.
Realizimi i këtij manifestimi është planifikuar të realizohet në tri Komuna, Prishtinë, Gjilan dhe Zveçan.
Numri 112 mund të thirret në raste të emergjencave si zjarre, vërshime, probleme të energjisë elektrke dhe të ujit si dhe aksidente të ndryshme të cilat ndodhin në mbarë territorin e Kosovës.