Politikë, Bota

Protestë pro Palestinës në Universitetin Georgetown në kryeqytetin amerikan

Studentët bënë thirrje për distancimin e shkollës së tyre nga Izraeli dhe përfundimin e sulmeve izraelite në Gaza

Servet Günerigök  | 05.09.2024 - Përdıtësım : 05.09.2024
Protestë pro Palestinës në Universitetin Georgetown në kryeqytetin amerikan

Washington DC

Një grup protestuesish propalestinezë u mblodhën të mërkurën në kampusin e Universitetit Georgetown në kryeqytetin e SHBA-së, Washington, raporton Anadolu.

Gjatë demonstratës së tyre, e cila filloi me semestrin e ri, studentët protestues brohoritën "Nëse nuk kemi drejtësi, atëherë ata nuk kanë paqe" dhe "Palestinë e lirë, e lirë".

Ata bënë thirrje për distancimin e shkollës së tyre nga Izraeli dhe përfundimin e sulmeve izraelite në Gaza.

Demonstruesit bllokuan një kryqëzim të kampusit dhe u mblodhën për të kënduar jashtë sallës Healy brenda kampusit.

Protesta pason atë në Universitetin Columbia në New York të martën.

Protestat e studentëve pro Palestinës shpërthyen në kampuset amerikane më 17 prill, kur policia arrestoi studentët në Universitetin Columbia gjatë demonstratave.

Më shumë se 40.800 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, janë vrarë që nga fillimi i luftës së Izraelit më 7 tetor të vitit të kaluar dhe afro 94.400 të tjerë janë plagosur, sipas autoriteteve lokale shëndetësore.

Bllokada e vazhdueshme e enklavës ka çuar në mungesa të mëdha të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve, ndërsa sulmet kanë lënë pjesën më të madhe të rajonit në gërmadha.

Izraeli gjithashtu përballet me akuza për gjenocid për veprimet e tij në Gaza në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.