Bota

Protesta anembanë Izraelit, kërkohet të arrihet marrëveshje për shkëmbimin e pengjeve me fraksionet palestineze

Protestuesit brohoritnin parulla të ndryshme, duke i bërë thirrje qeverisë së kryeministrit Benjamin Netanyahu që të finalizojë menjëherë një marrëveshje për shkëmbimin e pengjeve me fraksionet palestineze në Gaza

Said Amori  | 08.09.2024 - Përdıtësım : 09.09.2024
Protesta anembanë Izraelit, kërkohet të arrihet marrëveshje për shkëmbimin e pengjeve me fraksionet palestineze Foto: Nir Keidar/AA

Tel Aviv

Protestuesit izraelitë mbrëmë kanë dalë në rrugë duke kërkuar një marrëveshje për shkëmbimin e pengjeve me fraksionet palestineze në Rripin e Gazës, raporton Anadolu.

Mijëra protestues u mblodhën në disa qytete anembanë Izraelit, duke përfshirë Tel Avivin, Haifan, si dhe zonën e kryqëzimit pranë Haifas.

Protestuesit brohoritnin parulla të ndryshme, duke i bërë thirrje qeverisë së kryeministrit Benjamin Netanyahu që të finalizojë menjëherë një marrëveshje për shkëmbimin e pengjeve me fraksionet palestineze në Gaza.

Izraeli vlerëson se mbi 100 pengje akoma mbahen nga grupi palestinez Hamas në Gaza, disa prej të cilëve besohet se tashmë janë vrarë.

Për muaj të tërë, SHBA-ja, Katari dhe Egjipti janë përpjekur të arrijnë një marrëveshje midis Izraelit dhe Hamasit për të siguruar një shkëmbim të të burgosurve dhe një armëpushim, si dhe për të lejuar hyrjen e ndihmave humanitare në Gaza. Por përpjekjet e ndërmjetësimit kanë ngecur për shkak të refuzimit të Netanyahut për të përmbushur kërkesat e Hamasit për të ndaluar luftën.

Që nga 7 tetori i vitit të kaluar, lufta e vazhdueshme e Izraelit në Rripin e Gazës ka vrarë të paktën 40.900 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe ka plagosur rreth 94.700 të tjerë.

Një bllokadë e vazhdueshme e enklavës ka çuar në mungesa të mëdha të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve, duke lënë pjesën më të madhe të rajonit në gërmadha.

Izraeli përballet me akuza për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për veprimet në Gaza.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.