Bota

Protesta antiqeveritare në Argjentinë, plagosen 20 persona dhe arrestohen mbi 100 të tjerë

Me pankartat dhe tabelat që mbajtën, protestuesit kërkuan përmirësime të kushteve të jetesës, veçanërisht pensioneve

Sinan Doğan  | 13.03.2025 - Përdıtësım : 13.03.2025
Protesta antiqeveritare në Argjentinë, plagosen 20 persona dhe arrestohen mbi 100 të tjerë

Bolivar

Të paktën 20 persona u plagosën dhe 103 të tjerë u arrestuan në protestat antiqeveritare në Argjentinë, të mbështetura nga sindikatat, organizatat e ndryshme të shoqërisë civile dhe tifozët e ekipeve të futbollit, raporton Anadolu.

Qindra protestues u përleshën me forcat e sigurisë, pasi u mblodhën në sheshin e Kongresit në kryeqytetin Buenos Aires. Në incidentet në të cilat policia ndërhyri me gaz piper dhe ujë me presion, u plagosën 20 persona prej të cilëve 1 rëndë ndërsa 103 të tjerë u arrestuan.

Me pankartat dhe tabelat që mbajtën, protestuesit kërkuan përmirësime të kushteve të jetesës, veçanërisht pensioneve. Duke reaguar ndaj politikave ekonomike të presidentit Javier Milei, sindikatat deklaruan se do të shtojnë intensitetin e protestave nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre.

Ndërkohë fotoreporteri argjentinas Pablo Grillo, u plagos rëndë kur një bombël gazi lotsjellës e goditi në kokë teksa po filmonte protestat. Thuhet se Grillo po vazhdon trajtimin në spital.

Ministrja e Sigurisë Kombëtare, Patricia Bullrich në një deklaratë për mediat tha se do të marrin masa të ashpra kundër protestuesve që dëmtojnë pronën publike. Në imazhet e shpërndara në rrjetet sociale, shihen shumë automjete të përmbysura dhe prona publike të shkatërruara.

Në Argjentinë mosha e daljes në pension është 60-vjeç për gratë dhe 65-vjeç për burrat. Rreth 7.4 milionë pensionistë në vend përbëjnë 15.7 për qind të popullsisë së përgjithshme.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.