Selçuk Acar
07 Dhjetor 2016•Përditësim: 07 Dhjetor 2016
NEW YORK (AA) – Përpara selisë së Kombeve të Bashkuara (OKB) në New York janë mbajtur protesta në shenjë revolte për dhunën e cila po ushtrohet ndaj muslimanëve Rohinga në Mijanmar, raporton Anadolu Agency (AA).
Përfaqësuesit e Bashkësisë Islame në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) u tubuan në parkun Dag Hammarskjold ku kërkuan nga OKB-ja të ndalin dhunën që po ushtrohet mbi muslimanët në krahinën Arakan në Mijanmar.
Shtypja e komunitetit Rohinga në Mijanmar, (ish Birmania) zgjat me dekada të tëra.
Muslimanët Rohinga paraqesin pakicë apartride në Mijanmar, pa të drejta themelore.
Protestuesit kërkuan masa të menjëhershme me të cilat do të ndalej dhuna, duke rikujtiar se ky komunitet meriton të jetojë me dinjitet.
Folësit akuzuan vendet perëndimore se për shkak të interesave kombëtare i kanë kthyer shpinën Mijanmarit, ndërkohë që nga Organizata për Bashkëpunim Islamik (OIC) dhe nga Unioni i Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN) kërkuan të marrin iniciativë më të madhe për të zgjidhur problemin.
“Ndaloni masakrën në Mijanmar, ndaloni vrasjet” dhe ”Duam drejtësi”, ishin disa nga parullat e protestuesve në pankartat të cilat i mbanin në duar.
Kryetari i organizatës Botërore të Rohingëve (WRO) Mohiuddin Mohamad Yusof tha se tubimi ka për qëllim të dërgohet apeli për ndalim të vrasjeve të muslimanëve nga ana e ushtrisë së Mijanmarit.