Protestë pro Palestinës në Londër, pjesëmarrësit thirrje qeverisë të ndalojë armatosjen e Izraelit
Ushtria izraelite goditi Rripin e Gazës herët të martën, duke vrarë të paktën 404 persona, duke plagosur mbi 562 dhe duke thyer marrëveshjen e armëpushimit që hyri në fuqi më 19 janar

Londër
Një tubim pro Palestinës u mbajt në kryeqytetin britanik Londër të martën, ku pjesëmarrësit protestuan kundër rifillimit të sulmeve vdekjeprurëse të Izraelit në Gaza dhe i bënë thirrje qeverisë të ndalojë të gjitha shitjet e armëve Tel Avivit, raporton Anadolu.
Qindra protestues u mblodhën në Londër përballë zyrës së kryeministrit në Downing Street, duke mbajtur flamuj palestinezë dhe duke thirrur “Palestina e lirë”.
Gjatë tubimit emergjent, qeverisë iu kërkua që menjëherë “të ndalojë armatosjen e Izraelit” pas sulmeve të fundit ajrore izraelite.
Gjatë protestës, turma brohoriti parulla propalestineze, duke përfshirë: “Ndaloni armatimin e Izraelit” dhe “Ndaloni bombardimin e Gazës”, si dhe “Nga lumi në det, Palestina do të jetë e lirë”.
Duke iu drejtuar tubimit, shumë folës bënë thirrje për ndalimin total të shitjeve të armëve për Izraelin.
Ushtria izraelite goditi Rripin e Gazës herët të martën, duke vrarë të paktën 404 persona, duke plagosur mbi 562 dhe duke thyer marrëveshjen e armëpushimit që hyri në fuqi më 19 janar.
Pamjet e dala nga Gaza tregojnë se shumica e viktimave ishin civilë, duke përfshirë gra dhe fëmijë, shtëpitë e të cilëve u bombarduan gjatë natës.
Gati 50.000 palestinezë janë vrarë, kryesisht gra dhe fëmijë, dhe mbi 112.000 të tjerë janë plagosur në fushatën brutale ushtarake izraelite në Gaza që nga tetori i vitit 2023.
Në nëntor 2024, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhra arresti për kryeministrin Benjamin Netanyahun dhe ish-ministrin e tij të Mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në enklavën palestineze.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.