Bota, Ekonomi

Punëtorët e huaj të kualifikuar përballen me diskriminim në Gjermani

Studimi zbuloi se 40 për qind e të anketuarve ndiheshin të diskriminuar kur kërkonin strehim, ndërsa 21 për qind perceptonin disavantazhe në vendin e punës

Ekip, Ayhan Şimşek  | 25.10.2024 - Përdıtësım : 28.10.2024
Punëtorët e huaj të kualifikuar përballen me diskriminim në Gjermani

Berlin

BERLIN (AA) - Punëtorët e huaj të kualifikuar përballen me nivele alarmante diskriminimi në Gjermani, transmeton Anadolu.

Sipas një sondazhi nga Instituti për Kërkime të Punësimit (IAB), afër 56 për qind e punëtorëve emigrantë të kualifikuar raportuan se përballen me paragjykime dhe diskriminim në të paktën një fushë të jetës. Strehimi dhe punësimi u shfaqën si sektorë veçanërisht problematik për ta.

Studimi zbuloi se 40 për qind e të anketuarve ndiheshin të diskriminuar kur kërkonin strehim, ndërsa 21 për qind perceptonin disavantazhe në vendin e punës.

Diskriminimi u raportua edhe në situata të përditshme si në transportin publik ose dyqane dhe restorante.

Rreth 20 për qind e profesionistëve emigrantë thanë se ndiheshin të pa favorizuar kur kishin të bëjnë me administratën publike ose autoritetet. Studimi gjithashtu zbuloi se 93 për qind e të anketuarve besonin se përkatësia e tyre etnike ishte arsyeja kryesore për diskriminimin me të cilin u përballën.

Ekspertët e institutit IAB paralajmëruan se këto përvoja mund të pengojnë ndjeshëm integrimin ekonomik dhe social të profesionistëve emigrantë të kualifikuar, duke i dekurajuar potencialisht ata që të zgjedhin Gjermaninë si një destinacion afatgjatë.

Gjermania, ekonomia më e madhe e BE-së, aktualisht po përballet me një popullsi në plakje dhe mungesë të konsiderueshme të punëtorëve të kualifikuar në sektorët e teknologjisë së informacionit, energjisë së rinovueshme, ndërtimit dhe mjekësisë.

Së fundmi, qeveria gjermane ka reformuar Aktin e Imigrimit të Aftësive (FEG) për të tërhequr më shumë specialistë dhe profesionistë të kualifikuar nga jashtë për të përmbushur nevojat e tregut të punës.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.