Emre Gürkan Abay
06 Tetor 2022•Përditësim: 06 Tetor 2022
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin deklaroi se industria e vendit është rimëkëmbur ndjeshëm por se sektorët e eksporteve në Evropë vazhdojnë të jenë nën presion, transmeton Anadolu Agency (AA).
Putin në një takim me zyrtarë të lidhur me ekonominë ruse përmes video-konferencës tha se "Pas 4 muajsh rënie, prodhimi industrial është kthyer në nivelet e vitit të kaluar. Industritë që ranë në një situatë të vështirë si automobilizmi dhe metalurgjia po rimëkëmben gradualisht".
Ai tha se sektori i bujqësisë u rrit me 4.6 për qind dhe ai i ndërtimit me 7.4 për qind në 8 muajt e parë të vitit. "Megjithatë, sektorët e eksporteve në Evropë vazhdojnë të jenë nën presion. Kjo është e kuptueshme. Ata që refuzojnë të blejnë produkte ruse tani duhet të paguajnë më shumë për shumë produkte, përfshirë naftën, gazin dhe metalet", tha Putin.
Duke theksuar se kompanitë ruse po kthehen në tregje alternative, Putin tha se ky nuk është një proces i shpejtë dhe se kërkon kohë për të ndërtuar zinxhirë të rinj logjistikë.
Presidenti rus theksoi se kërkesa e konsumatorëve në Rusi vazhdon të mbetet e ulët. "Shitjet me pakicë ranë me 8.8 për qind në gusht dhe në korrik, në shtator ranë edhe më shumë. Për këtë duhet të flasim veçmas", tha ai.
Sipas tij, presioni për sanksione kundër Rusisë do të rritet. "Në këtë kontekst, ne duhet të kemi plane veprimi që janë fleksibël, efektivë, të llogaritur për afatshkurtër dhe afatmesëm dhe t'i zbatojmë ato në mënyrë konsistente", tha Putin.