Elena Teslova
13 shtator 2026•Përditësim: 13 shtator 2026
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka bërë të ditur se tregtia mes vendeve të BRICS-it ka arritur në 1.2 trilion dollar, transmeton Anadolu.
Duke folur në një takim të formatit të bashkëpunimit të zgjeruar të grupit BRICS në New Delhi, Putin tha se normat e rritjes së popullsisë në vendet e BRICS-it po rriten nga viti në vit, tregjet e brendshme po forcohen dhe është ndërtuar infrastrukturë e të gjitha llojeve.
“Tregtia e brendshme brenda asociacionit tonë tashmë ka arritur në 1.2 trilion dollarë. Vendet pjesëmarrëse përbëjnë pothuajse një të katërtën e eksporteve globale, ndërsa është pikërisht BRICS-i ai që siguron dinamikën kryesore të PBB-së globale, 49 për qind”, tha ai.
Putin theksoi se potenciali për zhvillimin e mëtejshëm të BRICS-it është “larg të qenit i shteruar”.
“Një nga rezervat kryesore që ende nuk është shfrytëzuar plotësisht është komplementariteti i ekonomive të vendeve pjesëmarrëse. Dallimet në strukturën dhe specializimin e tyre ofrojnë mundësi të shumta për bashkëpunim praktik, për krijimin e zinxhirëve të rinj të prodhimit, teknologjive, shërbimeve dhe tregjeve”, tha ai.
“Në fakt, po flasim për krijimin e një platforme të përbashkët të rritjes së BRICS-it, e cila kombinon në mënyrë organike avantazhet konkurruese të ekonomive tona”, theksoi Putin.
Presidenti rus shtoi se interesimi për aktivitetet e BRICS-it në botë vazhdon të rritet.
Ai tha se vlerat dhe idealet e grupit po bëhen gjithnjë e më tërheqëse, duke shtuar se BRICS-i angazhohet për mundësi të barabarta dhe të pakufizuara për të gjitha vendet për të arritur rritje sociale dhe ekonomike.
Putin gjithashtu tha se grupi po kontribuon në mënyrë aktive në formimin e një rendi botëror multipolar më të drejtë.