Putin uron Trump-in për fitoren në zgjedhje, shprehet i “gatshëm” të bisedojë me të
Putin tha se është i “impresionuar” me sjelljen e Trump-it gjatë dy tentativave për vrasje këtë vit dhe presidentin e zgjedhur të SHBA-së e përshkroi si një “njeri të guximshëm”
Istanbul
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka uruar Donald Trump-in për fitoren e tij në zgjedhjet presidenciale në SHBA, si dhe është shprehur i “gatshëm” të bisedojë me të, raporton Anadolu.
“Dëshiroj të shfrytëzoj rastin për ta uruar për zgjedhjen e tij si president i SHBA-së. Unë tashmë kam thënë se ne do të punojmë me çdo president shteti që populli amerikan ka besim”, tha Putin në një forum diskutimi të Klubit Ndërkombëtar të Diskutimit Valdai në qytetin turistik Sochi.
Putin tha se është i “impresionuar” me sjelljen e Trump-it gjatë dy tentativave për vrasje këtë vit dhe presidentin e zgjedhur të SHBA-së e përshkroi si një “njeri të guximshëm”.
Presidenti rus gjithashtu tha se është i “gatshëm” të zhvillojë diskutime me Trump-in.
Kremlini tha se nuk përjashtoi mundësinë e bisedimeve Putin-Trump para inaugurimit të tij në muajin janar.
Trump nga Partia Republikane mundi kandidaten demokrate dhe zv/presidenten Kamala Harris në garën presidenciale, duke siguruar 295 vota të Kolegjit Zgjedhor.
Fitorja shënon kthimin e Trump-it në presidencë për një mandat të dytë.
Elitat perëndimore janë të gatshme të bëjnë “çdo gjë” për të ndaluar shfaqjen e një sistemi të ri ndërkombëtar
Presidenti rus akuzoi elitat perëndimore se janë të gatshme të bëjnë “çdo gjë” për të ndaluar shfaqjen e një sistemi të ri ndërkombëtar.
"Në vend që të njohin kotësinë e aspiratave të tyre dhe natyrën objektive të ndryshimit, disa elita perëndimore duken të gatshme të bëjnë gjithçka për të parandaluar shfaqjen e një sistemi të ri ndërkombëtar që përmbush interesat e shumicës globale," tha Putin.
Duke pretenduar se një parim "ne kundër tyre" është bërë gjithnjë e më i dukshëm në politikat e SHBA-së dhe aleatëve të saj, Putin e përkufizoi qasjen si "shumë të rrezikshme" sepse Perëndimi do të duhej të merrej përfundimisht me pasojat e një qasjeje të tillë.
"Ajo që shkon rrotull vjen rrotull", theksoi Putin, duke shtuar se një "krizë sistematike" tashmë po rritet në vendet që po përpiqen të ndjekin atë politikë.
Ai tha se është i sigurt se Perëndimi do ta kuptojë kotësinë e politikës dhe se ndryshe nga Perëndimi, Rusia nuk e percepton qytetërimin perëndimor si armik dhe nuk ndjek një qasje "ne kundër tyre".
“Ne, të gjithë ata që jemi të interesuar të krijojmë një botë të drejtë dhe të qëndrueshme, duhet të shpenzojmë shumë energji për të tejkaluar veprimet shkatërruese të kundërshtarëve tanë, duke u kapur pas monopolit të tyre”, tha Putin.
Presidenti rus gjithashtu akuzoi politikanët perëndimor për "aventurizëm ekstrem" me qëllimin e tyre për t'i "shkaktuar një disfatë strategjike" Rusisë.
“Përpjekjet për të mbajtur fuqinë e tyre të pakapshme me forcë çojnë vetëm në paqëndrueshmëri të përgjithshme dhe rritje të tensionit, viktima dhe shkatërrim. Por përpjekje të tilla ende nuk japin rezultatin për të cilin po përpiqen ata që duan të ruajnë pushtetin e tyre absolut e të pandarë, sepse rrjedha e historisë nuk mund të ndalet”, shtoi ai.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.