Emin İleri
02 Maj 2016•Përditësim: 03 Maj 2016
STAMBOLL (AA) - EMIN ILERI - Anëtari i Koalicionit të Forcave Revolucionare dhe Opozitës Siriane (SMDK), si dhe anëtar i Kongresit Kombëtar Kurd, Abdulhamit Temo, ka pohuar se PYD-ja me ato që bën nuk ka ndonjë ndryshim nga DAESH-i dhe se ajo është shndërruar në një "DAESH të kurdëve". "Ashtu sikurse DAESH-i ka dalë nga arabët edhe PYD-ja ka lindur nga kurdët", është shprehur ai, raporton Anadolu Agency (AA).
Temo, i cili në të njëjtën kohë është edhe përfaqësuesi për marrëdhëniet me jashtë i Partisë së të Ardhmes (Shepela Pesherozhe) ka folur për AA rreth bisedimeve në Gjenevë, sulmeve të regjimit të Asadit në Halep dhe ngjarjet e fundit në Kamishli.
Duke pohuar se opozita siriane momentalisht është në një gjendje të vështirë, Temo në vijim tha: "Në të shkuarën opozitarët kishin një reputacion pasi konsideroheshin si udhërrëfyes të revolucionit. Tani u ndanë copa copa. Ka copa të Kajros, Moskës dhe të dyja thonë që janë udhëheqëse të revolucionit. Grupi i Moskës është nën urdhrat e Rusisë dhe regjimit, ndërsa grupi i Kajros është grupi që ndjek gjithmonë të mesmen. Ka edhe një grup tjetër i cili është grupi i Stambollit i cili është edhe grupi më i gjerë. Edhe grupi i Rijadit është pjesë e jona. Një pjesë e delegatëve të Rijadit momentalisht janë në takime me ne. Ndërkohë arsyeja e mbledhjes tonë në Stamboll, është takimi i Gjenevës."
Temo thotë se Përfaqësuesi Special i OKB-së për Sirinë, Staffan de Mistura nuk i ka qëndruar besnik fjalës së tij. "Në takimet në Gjenevë, Rusia dhe regjimi i Asadit nuk deshën që lufta të ndalet dhe penguan një ndryshim të mundshëm politik në Siri. Për këtë arsye takimet në Gjenevë u pezulluan. Opozitarët kishin dy kërkesa. Njëra kishte të bënte me ndalimin e luftimeve ku edhe regjimi duhet të ishte pjesë e kësaj marrëveshjeje dhe e dyta kishte të bënte me lejimin e kalimit të ndihmave humanitare në vendet e konfliktit si dhe marrja nën mbrojtje e punonjësve të ndihmave humanitare. Të dyja këto kushte nuk u plotësuan. Mistura kishte dhënë fjalën që këto dy kushte do të plotësoheshin, por kjo nuk ndodhi. Regjimi vazhdon bombardimet. Atë që e ka bërë Asadi në javën e fundit nuk e ka bërë askush asnjëherë. Asadi dhe rusët janë duke sulmuar civilët duke mos kursyer edhe spitalet. E dini që janë formuar edhe Forcat Demokratike të Sirisë. Synimi i tyre është të kontrollojnë zonën që ndanë Halepin nga Turqia. Regjimi kohët e fundit është duke sulmuar Halepin. Në Halep godet opozitarët me forcat ajrore. Ndërkohë që regjimi dhe Rusia sulmojnë nga ajri, PYD-ja është duke sulmuar nga toka opozitarët. Normalisht kur them PYD them për Forcat Demokratike të Sirisë", u shpreh ai.
Duke folur për ekspozimin e trupave të opozitarëve të vrarë nga PYD-ja gjatë luftimeve me Ushtrinë e Sirisë së Lirë (USL), ku trupat e ngarkuar në një kamion u ekspozuan në rrugët e Afrin-it, Temo tha: "Kur arabët shikojnë këtë që po ndodh nuk thonë që e ka bërë PYD-ja, por thonë që e kanë bërë kurdët. Ne si Këshilli Kombëtarë i Kurdëve të Sirisë bëmë një deklaratë në lidhje me këtë. 'Ne si popull kurd jemi larg nga këto veprime të PYD-së'. Këto veprime nuk i kanë bërë kurdët, por PYD-ja."