Sibel Vezaj
29 Shtator 2016•Përditësim: 30 Shtator 2016
PRISHTINË (AA) - Pas arrestimit të drejtorit të policisë në Mitrovicë, Nehat Thaçi, zyrtarë të lartë të Qeverisë së Kosovës, si dhe përfaqësues të institucioneve dhe partive politike, përmes reagimeve të ndryshme kanë dënuar arrestimin e tij, i cili nga autoritetet serbe akuzohet me terrorizëm, tranmeton Anadolu Agency (AA).
Zëvendësministri në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Nehat Mustafa, konsideron se kjo akuzë i bëhet të gjithë shqiptarëve. Ai gjithashtu kritikoi deputetët e Kuvendit, duke shkruar se, “Sot po zhvillohet seanca e radhës e Kuvendit të Kosovës. Besoj që të gjithë ju keni qenë të informuar nga portalet për arrestimin e Majorit Thaqi. Por, më befason heshtja e Juaj? Me përjashtim të një deputeti, askush tjetër nga ju nuk e pa të arsyeshme ta thotë së paku një fjalë për këtë arrestim. Keq, shumë keq”.
Ai ka shprehur se institucionet tjera po bëjnë punën e tyre lidhur me këtë rast, por u bëri thirrje deputetëve që të flasin, duke shkruar se “me akuza të tilla jeni akuzuar e mund të akuzoheni nga Serbia në të ardhmen edhe ju”.
Ndërkaq, deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, foli rreth kësaj çështjeje në seancën plenare të Kuvendit, gjegjësisht në interpelancën në lidhje me situatën aktuale politike në pjesën veriore të Republikës së Kosovës. Lekaj theksoi se këtu ku po flitet për sovranitetin dhe lëvizjen e lirë të shqiptarëve në veri, kurse në anën tjetër po incidon marrja e drejtorit, pra të një zyrtari të lartë të Kosovës.
Ai duke kërkuar sqarim për këtë arrestim, iu drejtua ministrtit të Punëve të Brendshme dhe Kryeministrit Mustafa me pyetjen “A jemi shtet a po s’jemi”.
Pas tij, edhe deputeti Rexhep Selimi, nga Lëvizja VETËVENDOSJE, reagoi për këtë çështje, duke u bërë thirrje Kryeministrit dhe Ministrit të Brendshëm që të mos heshtin.
Nga ana tjetër, edhe kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka dënuar ashpër arrestimin e Thaçit, duke vlerësuar se ky arrestim nën akuzën për terrorizëm, është një veprim i papranueshëm që ka zgjuar indinjatë të thellë tek të gjithë qytetarët e Mitrovicës dhe të rajonit.
“Nënkolonel Thaçi është një drejtues i shkëlqyeshëm i policisë rajonale në Mitrovicë. Që nga ardhja e tij në krye të Drejtorisë Rajonale të Policisë së Kosovës në Mitrovicë, krimi, kontrabanda dhe dukuritë tjera joligjore dhe keqbërëse, kanë shënuar rënie të vazhdueshme. Falë punës së tij, bashkëpunëtorëve të tij dhe policëve që ai i mbikëqyrë, Mitrovica sot është një nga qytetet më të sigurta në Republikën e Kosovës. Sigurisht se kjo ju pengon grupeve kriminale dhe pushtetit të Serbisë, që dëshiron që në Mitrovicë dhe Kosovë mos të ketë stabilitet, andaj edhe ka arrestuar nënkolonel Thaçin”, ka thënë kryetari Bahtiri.
Kryetari i komunës së Mitrovicës, gjithashtu kërkon nga autoritetet e larta të Republikës së Kosovës dhe nga ato ndërkombëtare, të shtojnë presionin tek autoritetet e shtetit të Serbisë për lirimin sa më parë të Thaçit.