Şahin Demir
06 gusht 2026•Përditësim: 06 gusht 2026
Dita e tretë dhe e fundit e raundit të shtatë të negociatave të drejtpërdrejta midis Libanit dhe Izraelit, të ndërmjetësuara nga SHBA-ja, përfundoi të enjten në Romë, tha për Anadolu një zyrtar i lartë libanez.
Zyrtari tha se bisedimet nisën rreth një orë me vonesë për arsye që ai i përshkroi si "të lidhura me SHBA-në". Ato u zhvilluan përmes tri takimeve paralele që mbuluan çështje ushtarake, politike, ligjore dhe kufitare, si dhe çështjen e të burgosurve.
Takimi ushtarak u përqendrua në çështje teknike, përfshirë konsultimet mbi terminologjinë dhe formulimet ushtarake, tha zyrtari.
Sipas tij, diskutimet për të burgosurit u zhvilluan në dy drejtime: e drejta ndërkombëtare që rregullon çështjen e të burgosurve dhe shkëmbimi i listave të të burgosurve.
Ai tha se kjo çështje mbetet e vështirë për Libanin, pasi nuk disponon lista të të burgosurve. Megjithatë, ai i cilësoi diskutimet si pozitive dhe tha se po bëhen përpjekje për të përfshirë në proces Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq.
Në planin politik, diskutimet u përqendruan në dy çështje kryesore: "zonat model" të propozuara për tërheqjen graduale të Izraelit dhe kërkesa e Libanit për rinovimin dhe zbatimin e plotë të armëpushimit.
Bisedimet për zonat model kanë hyrë në një fazë serioze, ku delegacioni izraelit ka kërkuar hollësi mbi vendndodhjet e propozuara për të vlerësuar kushtet përreth, përfshirë faktorët gjeografikë, tha zyrtari.
Ai shtoi se nuk është arritur asnjë përparim në këtë çështje, duke theksuar se delegacioni libanez ka propozuar disa lokacione, përfshirë qytetin Zawtar al-Sharqiya në provincën jugore Nabatieh.
Zyrtari tha gjithashtu se përshkallëzimi i fundit izraelit në jug të Libanit nuk u diskutua drejtpërdrejt gjatë negociatave në Romë, por u trajtua përmes një mekanizmi të krijuar më 27 tetor.
Raundi i shtatë nisi të martën dhe përfundoi sot. Ky ishte raundi i dytë i organizuar në Romë, pas pesë raundeve të mëparshme të mbajtura në Washington në kuadër të procesit negociues të sponsorizuar nga SHBA-ja.
Bisedimet u zhvilluan në një kohë kur Izraeli po i vazdhon sulmet, përfshirë fluturime intensive të dronëve dhe avionëve luftarakë mbi Bejrut dhe Tyre, simulime sulmesh ajrore dhe goditje në jug të Libanit. Më herët të enjten, tetë persona u plagosën gjatë një përshkallëzimi të gjerë izraelit në zonën Tyre.
Bejruti dhe Tel Avivi nënshkruan më 26 qershor një marrëveshje kornizë të ndërmjetësuar nga SHBA-ja, e cila parashikon tërheqjen graduale të Izraelit nga territoret e okupuara libaneze, duke filluar me zbatimin e një modeli pilot në zona të caktuara.
Marrëveshja parashikon gjithashtu tërheqjen graduale të forcave izraelite nga të gjitha territoret e okupuara libaneze, në këmbim të dislokimit të ushtrisë libaneze dhe çarmatimit të grupeve të armatosura, përfshirë Hezbollahun.
Izraeli ka vazhduar operacionet e tij ushtarake në Liban që nga 2 marsi. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Libanit, sulmet kanë vrarë 4.333 persona dhe kanë plagosur 12.250 të tjerë.