Aslı Aral
01 shkurt 2017•Përditësim: 02 shkurt 2017
LONDËR (AA) - Edhe krahas kritikave dhe protestave, qeveria britanike ka bërë të ditur se nuk do ta tërheqë prapa ftesën për presidentin e ri amerikan Donald Trump dhe se vizita e tij do të realizohet këtë vit, raporton Anadolu Agency (AA).
Në brifingun e sotëm javor për media, zëdhënësi i Kabinetit të Kryeministrit britanik ka thënë se ende vlen ftesa për "vizitë shtetërore" të cilën kryeministrja britanike Theresa May ia bëri presidentit amerikan Trump gjatë vizitës së saj në SHBA gjatë javës së kaluar.
"SHBA-të janë partner dhe aleat i rëndësishëm i Britanisë. Ne punojmë nga afër dhe kemi marrëdhënie të fuqishme. Është me rëndësi që të krijojmë lidhje të fuqishme me administratën e re amerikane. Natyrisht që njerëzit kanë të drejtë të protestojnë kundër kësaj, megjithatë ftesa jonë vlen ende. Ne presim që vizita e presidentit amerikan të realizohet këtë vit", ka thënë zëdhënësi, duke shtuar se ende nuk është saktësuar data e vizitës. Ai ka theksuar se janë duke zhvilluar punime për planifikimin e vizitës.