Ömer Tuğrul Çam
20 Tetor 2022•Përditësim: 21 Tetor 2022
Kryeministri i Suedisë, Ulf Kristersson, tha se do të rrisin përpjekjet për të eliminuar shqetësimet e Türkiye-s për sigurinë lidhur me anëtarësimin e vendit të tij në NATO dhe se ato që nevojiten për këtë do t'i përmbushin edhe pas anëtarësimit në NATO, transmeton Anadolu Agency (AA).
Pas një vizite në selinë e NATO-s, tre ditë pas marrjes së detyrës si kryeministër i ri i Suedisë, Kristersson, zhvilloi një konferencë të përbashkët me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.
Kristersson theksoi se biseduan rreth anëtarësimit të Suedisë në NATO dhe se deri më tani anëtarësimin e kanë miratuar 28 vende.
Ai u shpreh se qeveria e re e Suedisë i kushton rëndësi të madhe bashkimit në NATO dhe se procesi për anëtarësimin e vendit nuk do të ndikohet nga ndryshimi i qeverisë.
Lidhur me shqetësimet e sigurisë që Türkiye ka ngritur më parë Kristersson deklaroi: "Qeveria ime do të shumëfishojë përpjekjet për zbatimin e memorandumit trepalësh të nënshkruar mes Türkiye-s, Suedisë dhe Finlandës. Kjo situatë do të jetë e tillë edhe para anëtarësimit të Suedisë në NATO edhe më pas. Memorandumi trepalësh ka krijuar platforma të reja për bashkëpunimin në luftën kundër terrorizmit mes Suedisë dhe Türkiye-s. Lufta kundër terrorizmit është prioritet për ne para dhe pas anëtarësimit në NATO. Ne jemi shumë seriozë në angazhimet tona".
- "Jam i gatshëm që të vizitoj Ankaranë"
Ndaj pyetjes se çfarë përpjekjesh do të tregojnë më shumë se qeveria e mëparshme për të eliminuar shqetësimet e Türkiye-s, Kristersson rikujtoi se në Suedi ka një ligj të ri të miratuar në çështjen e luftës kundër terrorizmit.
"Ashtu sikurse qeveria e mëparshme ne jemi të angazhuar me Türkiye-n. Por për të zbatuar ato që kemi premtuar aktualisht nuk posedojmë shumë mjete", tha Kristersson.
Ndaj pyetjes nëse ka apo jo qëllim të vizitojë Türkiye-n, Kristersson tha se "Jam i gatshëm që të vizitoj Ankaranë në kohën më të shpejtë. Këtë mesazh ia kemi përcjellë miqve tanë turq".
Ndër të tjera Kristersson vuri në dukje se do të përmbushin detyrimet e tyre lidhur me anëtarësimin duke përfshirë doktrinën bërthamore të NATO-s, se do t‘i përmbahen objektivave për shpenzimet e mbrojtjes së NATO-s dhe se do të kontribuojnë në mbrojtjen kolektive.
- Stoltenberg: U dakorduam mbi rëndësinë e shqetësimeve të Türkiye-s
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka theksuar se mirëpresin angazhimin që Suedia ka për memorandumin trepalësh për forcimin e bashkëpunimit në luftën kundër terrorizmit.
"U dakorduam mbi rëndësinë e shqetësimeve legjitime të Türkiye-s për sigurinë", tha Stoltenberg, i cili shtoi se janë të kënaqur nga hapat që Suedia ka ndërmarrë për të zbatuar memorandumin.
Stoltenberg u shpreh se ka punime që janë kryer nëpërmjet mekanizmit në çështje të tilla që përfshijnë përpjekjet për heqjen e kufizimeve të shitjes së armëve ndaj Türkiye-s, rritjen e bashkëpunimit në luftën kundër terrorizmit, ndalimin e pjesëmarrjes në organizata terroriste përfshirë PKK-në, ekstradimin e kriminelëve dhe financimin e terrorizmit.