Radhë të gjata para furrave në Gaza: "Nuk kemi miell për nesër"
“Kemi vështirësi në furnizimin me miell. Miell kemi mjaftueshëm për sot, por për më vonë e di vetëm Allahu. Nuk kemi miell për bukë për nesër”, thotë bukëpjekësi Enes Beshir

Sarajevë
Problemet për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike dhe ujit po shtohen në Gaza, ku sulmet izraelite vazhdojnë ditë e natë, raporton Anadolu.
Palestinezët kanë krijuar radhë të gjata para furrave për të blerë bukë.
“Kemi vështirësi në furnizimin me miell. Miell kemi mjaftueshëm për sot, por për më vonë e di vetëm Allahu. Nuk kemi miell për bukë për nesër”, thotë bukëpjekësi Enes Beshir.
Pak ditë më parë, furnizimi me energji elektrike i zonës prej më shumë se dy milionë banorësh u ndërpre plotësisht, pasi i vetmi termocentral në Gaza pushoi së punuari për shkak të mungesës së karburantit.
Fundjavën e kaluar, në një përshkallëzim dramatik të tensioneve në Lindjen e Mesme, forcat izraelite nisën sulme intensive ushtarake kundër Rripit të Gazës, në përgjigje ndaj një ofensive ushtarake nga grupi palestinez Hamas në territoret izraelite.
Konflikti filloi më 7 tetor, kur Hamasi nisi operacionin “Tufani i Aksasë”, një sulm i befasishëm me shumë drejtime, duke përfshirë një breshëri raketash dhe infiltrimesh në Izrael nëpërmjet tokës, detit dhe ajrit.
Hamasi tha se operacioni ishte në hakmarrje për bastisjet ndaj Xhamisë Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar dhe dhunës në rritje të kolonëve izraelitë kundër palestinezëve.
Ushtria izraelite më pas nisi operacionin “Shpatat e Hekurta” kundër objektivave të Hamasit brenda Rripit të Gazës.
Përgjigjja e Izraelite është shtrirë deri në ndërprerjen e furnizimit me ujë dhe energji elektrike në Gaza, duke përkeqësuar më tej kushtet e jetesës në një zonë që është përfshirë nën një rrethim paralizues që nga viti 2007.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.