Bota

Rajoni Voronezh i Rusisë shpall gjendje të jashtëzakonshme pas sulmit ukrainas me dronë

Autoritetet pretendojnë se sistemet e mbrojtjes ajrore rrëzuan pesë dronë në rajon gjatë natës

Burç Eruygur  | 24.08.2024 - Përdıtësım : 24.08.2024
Rajoni Voronezh i Rusisë shpall gjendje të jashtëzakonshme pas sulmit ukrainas me dronë Foto: Arkiv

Istanbul

Rajoni jugperëndimor rus i Voronezhit, në kufi me Ukrainën, shpalli gjendje të jashtëzakonshme në tri vendbanime sot, pasi rrëzoi pesë dronë të lëshuar prej përtej kufirit gjatë natës, transmeton Anadolu.

Guvernatori i Voronezhit, Alexander Gusev, tha në Telegram se informacionet paraprake nuk tregojnë ndonjë dëmtim në ndërtesat civile, por se mbeturinat që kanë rënë kanë shkaktuar zjarr dhe se mund të ketë ndërprerje të energjisë në një nga fshatrat në rrethin Ostrogozhsky për shkak të dëmtimit të linjës së energjisë.

Gusev tha se një gjendje e jashtëzakonshme është shpallur në tri vendbanime të rrethit për të pastruar mbeturinat dhe për të parandaluar shpërthimin e objekteve shpërthyese.

Ai pretendoi se sistemet e mbrojtjes ajrore rrëzuan pesë dronë në rajon gjatë natës.

Deri më tani janë evakuuar rreth 200 persona dhe është ngritur një qendër akomodimi të përkohshëm. Megjithatë, pothuajse të gjithë banorët po strehohen nga të afërmit, shtoi ai.

Ndërkohë, Ministria ruse e Mbrojtjes pretendoi në një deklaratë të veçantë se shtatë dronë ukrainas u rrëzuan nga sistemet e mbrojtjes ajrore gjatë natës gjatë një tentative sulmi, ku pesë prej tyre u shkatërruan mbi rajonin e Voronezhit.

Voronezhi ndodhet në lindje të rajonit kufitar Kursk, ku Kievi filloi një inkursion natën e 5-6 gushtit kur forcat ukrainase hynë në qytetin e Sudzha, i cili është rreth 10 kilometra nga kufiri.

Putin akuzoi Ukrainën për kryerjen e një “provokimi në shkallë të gjerë” dhe “të shtëna joselektive”, duke e përshkruar inkursionin si “sulm terrorist”.

Ditë më vonë, Zelenskyy pranoi se bëhet fjalë për një “operacion” nga trupat ukrainase që synon të krijojë një “zonë tampon” kundër sulmeve ruse.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın