Bota

Rama: BE-ja shikon tek Shqipëria një aktor me besueshmëri të lartë

"BE-ja sot është më e interesuar se asnjëherë për zgjerimin dhe shikon tek Shqipëria një aktor me besueshmëri të lartë, një aktor të respektuar dhe një protagonist të procesit të reformave në Ballkanin Perëndimor", tha kryeministri Rama

Fatjon Cuka  | 15.04.2025 - Përdıtësım : 16.04.2025
Rama: BE-ja shikon tek Shqipëria një aktor me besueshmëri të lartë

Tiranë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka deklaruar se Bashkimi Evropian (BE) shikon tek Shqipëria një aktor me besueshmëri të lartë, raporton Anadolu.

Në komunikimin e tij në rrjetet sociale rreth pyetjeve të adresuara nga qytetarët në platformat e mediave sociale, Rama ka folur edhe për procesin e integrimit evropian, BE-në dhe çështje të tjera.

"BE-ja sot është më e interesuar se asnjëherë për zgjerimin dhe shikon tek Shqipëria një aktor me besueshmëri të lartë, një aktor të respektuar dhe një protagonist të procesit të reformave në Ballkanin Perëndimor. Pra, së bashku me Malin e Zi, një anëtar i ri potencial i Bashkimit Evropian. Është patjetër gjeopolitika që dikton këtë përshpejtim", tha Rama.

Rama tha se me presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, me të cilin u takua në kuadër takimeve mbi konferencën e katërt ndërqeveritare Shqipëri-BE që u mbajt dje, ka biseduar lidhur me procesin e negociatave të Shqipërisë, që sipas kryeministrit Rama është një ecuri e përshëndetur nga të gjithë.

Kryeministri Rama theksoi se BE-ja kurrë nuk është në situatën e një bamirësi, sepse sipas tij, me të drejtë kërkon që kë afron ta ketë me standardet e veta.

Për hapjen e kapitujve të rinj në negociatat Shqipëri-BE, reaguan edhe zyrtarë të tjerë të lartë të vendit, si presidenti Bajram Begaj dhe kryeparlamentarja Elisa Spiropali.

Më 14 prill në Luksemburg u mbajt konferenca e katërt ndërqeveritare Shqipëri-BE, duke u hapur kapituj të rinj në negociatat për anëtarësimin, që janë të fokusuar tek "Tregu i brendshëm".

Shqipëria është vend kandidat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian që nga viti 2014. Konferenca e parë ndërqeveritare midis Shqipërisë dhe BE-së është mbajtur në korrik 2022. Në tetor 2024 u mbajt konferenca e dytë ndërqeveritare, duke shënuar hapjen zyrtare të negociatave për grup-kapitujt e parë, ndërsa konferenca e tretë ndërqeveritare u mbajt në dhjetor 2024.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın