Fatjon Cuka
04 Dhjetor 2017•Përditësim: 05 Dhjetor 2017
BRUKSEL (AA) - Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, po zhvillon një vizitë dyditore në Bruksel, ku sot është takuar me presidentin e Këshillit Evropian, Donald Tusk, raporton Anadolu Agency (AA).
Rama dhe Tusk pas takimit kanë dhënë një deklaratë të përbashkët për mediat, ndërsa sipas njoftimit të Kryeministrisë së Shqipërisë, takimi në fjalë është zhvilluar në kuadër të thellimit dhe konkretizimit të axhendës evropiane të Shqipërisë.
Rama ka theksuar pas takimit se "Tusk është një ndër mbështetësit më të mëdhenj të përafrimit të mëtejshëm të Ballkanit, por edhe Shqipërisë me Bashkimin Evropian".
Ndërsa Tusk u shpreh se bisedimet me kryeministrin e Shqipërisë u përqendruan mbi të ardhmen evropiane të vendit.
"Jemi në të njëjtën anë. Për mua është vërtet e rëndësishme që të jem sa më i hapur, i sinqertë dhe pozitiv të jetë e mundur me ju dhe me të gjithë miqtë e mi shqiptarë. Kjo nënkupton gjithashtu se bashkëpunimi ynë, bisedimet tona sot dhe në të ardhmen ishin mbi bashkëpunimin e ardhshëm dhe të ardhmen evropiane. Dua të rikonfirmoj se ne e vlerësojmë vërtet procesin tuaj të thellë dhe mjaft të guximshëm të reformave. Ju jeni një nga shembujt më të mirë në rajon të kësaj ambicieje evropiane dhe të kësaj ëndrre evropiane", ka theksuar Tusk, duke ju drejtuar Ramës.
Kryeministri i Shqipërisë, do të qëndrojë edhe nesër në Bruksel, ku pritet të zhvillojë një takim me përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Federica Mogherini.