Bayram Altuğ
27 Shtator 2017•Përditësim: 28 Shtator 2017
GJENEVË (AA) – Raportuesit e Këshillit të Kombeve të Bashkuara (OKB) për të Drejtat e Njeriut paralajmëruan se projektligji për luftimin e terrorizmit, i cili po shqyrtohet në Parlamentin e Francës mund të shkaktojë praktika “të padrejta” dhe “diskriminuese” ndaj qytetarëve të këtij vendi dhe posaqërisht ndaj muslimanëve, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë të përbashkët me shkrim nga raportuesit specialë të Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Michel Forst dhe Fionnuala Ni Aolain lidhur me projektligjin e ri për luftimin e terrorizmit, i cili po shqyrtohet në Parlamentin e Francës, i bëhet thirrje Francës që t’i përmbushë zotimet dhe detyrimet lidhur me të drejtat ndërkombëtare.
Në deklaratë nënvizohet se në rast të miratimit të projektligjit mund të bëhen të përhershme edhe ligjet të cilat kanë hyrë në fuqi me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme pas sulmeve terroriste të vitit 2015.
Raportuesit theksuan rëndësinë e asaj që projektligji për luftimin e terrorizmit të përshtatet me parimet e të drejtave ndërkombëtare dhe paralajmëruan se në të kundërtën ky ligj mund të shkaktojë praktika “të padrejta” dhe “diskriminuese” ndaj qytetarëve të Francës dhe posaqërisht ndaj muslimanëve.
Raportuesja irlandeze, Fionnuala Ni Aolain vuri në dukje se projektligji përmban dispozita të cilat mund t’a dëmtojnë sigurinë, tubimin, fenë dhe liritë tjera themelore të njerëzve.
Projektligji për luftimin e terrorizmit i cili filloi të shqyrtohet ditën e hënë në Parlamentin francez, më 18 korrik është miratuar nga Senati. Pritet që projektligji të votohet deri në fund të javës.