Besar Ademi
23 Mars 2016•Përditësim: 23 Mars 2016
IDOMENI (AA) – Një grup prej dhjetëra refugjatësh, përfshirë edhe fëmijë, në shenjë proteste marshuan nga një kamp rreth 3 kilometra larg Idomenit, përmes autostradës që lidh Maqedoninë dhe Greqinë në drejtim të vendkalimit kufitar “Evzoni”, raporton Anadolu Agency (AA).

Si pasojë e protestës dhe marshimit në autostradë vendkalimi kufitar “Evzoni” rreth një orë mbeti i bllokuar. Refugjatët me pankarta ku shkruante “Hapni kufijtë”, “Mjaft me padrejtësi. Jemi të lodhur”, “Këtu jemi duke vdekur dalëngadalë”... kërkonin që të hapet kufiri i Maqedonisë për refugjatët.
“Ne duam të jetojmë në liri, sepse edhe ne jemi njerëz dhe kemi nevojë për këtë liri. Ne largohemi nga atdheu ynë, sepse atje kemi humbur gjithçka dhe nuk kemi pse të kthehemi prapa. Ju lutem hapni kufijtë, sepse ne nuk jemi terroristë, por jemi njerëz të paqes. Duam të jetojmë si njerëz, e jo si kafshtë”, tha Fadi nga Siria.

“Ne ndodhemi këtu, sepse në vendet tona nuk jemi të sigurtë. Po të ishim të sigurtë në vendet tona, ne nuk do të kishim ardhur në Greqi. Apeloj që vendet evropiane të hapin kufijtë, sepse këtu jeta jonë është shumë e vështirë. Moti është i ftohtë, ndërsa me vete kemi edhe shumë fëmijë të vegjël”, tha Latii-i nga Iraku.
Ndërkohë në Evzoni vazhdon të rritet numri i forcave policore, ndërsa nga ana tjetër në kampin për pritje të refugjatëve në Idomeni në kushte të vështira për jetesë ndodhen rreth 12 mijë refugjatë, në pritje për të vazhduar udhëtimin e tyre të shpresës drejt Evropës.