Muhammed Shekh Yusuf,Hacer Başer
20 Shkurt 2017•Përditësim: 20 Shkurt 2017
STAMBOLL (AA) - Bëhet e ditur se regjimi i Bashar al Asadit dhe organizata terroriste DEASH kanë vazhduar të përdorin armë kimike në Siri edhe përkundër rezolutave të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), raporton Anadolu Agency (AA).
Në një raport të përgatitur nga Rrjeti i të Drejtave të Njeriut për Sirinë (SNHR) thuhet se Mekanizmi i Përbashkët Hetimor i OKB-së ka konfirmuar se për disa sulme kimike përgjegjës janë regjimi i Asadit dhe DEASH-i dhe se Këshilli i Sigurimit (KS) i OKB-së duhet në mënyrë urgjente të marrë masa reale dhe të bëjë atë që i takon për ruajtjen e sigurisë dhe paqes në Siri.
Në raport është tërhequr vëmendja se regjimi i Asadit ka ndërmarrë gjithsej 333 herë sulme me armë kimike. Sipas raportit, regjimi i Asadit ka ndërmarrë 33 sulme kimike para rezolutës 2118 të KS të OKB-së të miratuar më 27 shtator të vitit 2013, ndërsa 158 sulme i ka realizuar pas rezolutës.
Ndërkaq, raporti thekson se pas rezolutës 2209 të KS të OKB-së të miratuar më 6 mars të vitit 2015, regjimi ka përdorur 89 herë armë kimike, 33 herë pas rezolutës 2235 të miratuar më 7 gusht të vitit 2015 dhe 20 herë pas themelimit të Mekanizmit të Përbashkët Hetimor të OKB-së, kurse DEASH ka shkelur katër herë rezolutat e OKB-së përmes sulmet e ndërmarra në Halep.
Në sulmet që regjimi i ka organizuar pas rezolutës 2118 duke përdorur armë kimike, në raport thuhet se jetën kanë humbur të paktën 78 civilë, prej të cilëve 40 fëmijë dhe 13 gra, 45 opozitarë dhe shtatë nga forcat e Asadit të arrestuar nga opozitarët. Po ashtu, si pasojë e sulmeve janë plagosur 2.289 persona.
Në raport është përfshirë edhe një deklaratë e kryetarit të SNHR-së, Fadl Abdulgani, i cili është shprehur se dëshirojnë gjykimin e përdoruesve të armëve kimike fillimisht në gjykatat lokale relevante, duke vazhduar se shtetet duhet të hapin gjykata për gjykimin e autorëve shkeljeve kaq të tmerrshme.
Abdulgani ka cituar Mekanizmin e Përbashkët Hetimor të OKB-së të ketë theksuar se në periudhën 2014-2015 në Hama, Halep dhe Idlib janë ndërmarrë vetëm nëntë sulme me armë kimike, prej të cilëve është konfirmuar se 3 janë realizuar nga regjimi dhe një nga DEASH-i, ndërkohë që, sipas tij, raporti ka dokumentuar se pas rezolutës 2235 të OKB-së regjimi i Asadit dhe DEASH-i kanë organizuar 37 sulme.