"Reporterët pa Kufij": Izraeli përpiqet t'i paraqesë gazetarët në Gaza si "terroristë"
Drejtori i përgjithshëm i organizatës "Reporterët pa Kufij" (RSF), Thibaut Bruttin tha se Izraeli përpiqet t'i paraqesë gazetarët në Rripin e Gazës si "terroristë" dhe se kjo është shqetësuese
Gjenevë
Drejtori i përgjithshëm i organizatës "Reporterët pa Kufij" (RSF), Thibaut Bruttin tha se Izraeli përpiqet t'i paraqesë gazetarët në Rripin e Gazës si "terroristë" dhe se kjo është shqetësuese.
Bruttin dha një prononcim për gazetarin e Anadolu-s në Gjenevë, ku erdhi për të marrë pjesë në një program në lidhje me vrasjen e gazetarëve në Gaza, e cila është nën sulm intensiv nga Izraeli që nga 7 tetori 2023.
Ai tha se gazetarët në Gaza përballen me kërcënime jashtëzakonisht shqetësuese. "Është krejt e pazakontë të kesh një zonë të tillë të mbyllur për mediat ndërkombëtare. I gjithë mbulimi i lajmeve bazohet në gazetarët lokalë palestinezë të cilët janë në rrezik si civilë dhe mund të jenë në shënjestër. Për këtë arsye ne jemi shumë të shqetësuar për atë që po ndodh", tha Bruttin.
Bruttin thekson se përgjegjësia kryesore e komunitetit ndërkombëtar është "të ushtrojë presion real mbi Izraelin dhe ushtrinë e tij për të ndryshuar politikat e tyre". Sipas tij, mungesa e qëllimit të qartë e Izraelit për të mbrojtur gazetarët është një fakt i dukshëm.
"Izraeli jo vetëm që nuk i mbron ata, por se ata gjithashtu kanë arsye të besojnë se një numër i konsiderueshëm prej rreth 140 gazetarësh janë vrarë dhe shënjestruar qëllimisht", tha ai.
- "Ata përpiqen t'i paraqesin gazetarët në Gaza si terroristë"
"Sikur të mos mjaftonte kjo, ne tani shohim se ushtria izraelite përpiqet t'i paraqesë gazetarët palestinezë si terroristë. Ne jemi shumë të shqetësuar për këtë. Në të kaluarën kemi marrë përgjigje të pakënaqshme nga ushtria izraelite, por sërish ata përpiqeshin të pretendonin se janë në përputhje me standardet ndërkombëtare për sa i përket mbrojtjes së mediave", tha Bruttin.
Ai tërhoqi vëmendjen se është shumë e qartë se do të përjetohet një problem i madh në aspektin e gazetarisë lidhur me konfliktet nëse gazetarët në Gaza bëhen të heshtin. Bruttin thotë se gazetarët në Gaza janë të rraskapitur dhe se në jetën civile ata përjetojnë mungesë uji, ushqimi dhe energjie.
- "Jemi të vetëdijshëm për natyrën e veçantë të konfliktit në Gaza"
"Pavarësisht kësaj, gazetarët duhet të përgatisin lajme për konfliktin dhe ata e bëjnë këtë me rrezik të madh", u shpreh Bruttin.
"(Gaza është një vend i rrezikshëm për gazetarët) Kjo është një situatë mjaft e paprecedentë në një periudhë kaq të shkurtër kohore, por në fillim të shekullit të 21-të kemi parë luftëra shumë të dhunshme dhe të ashpra. Lufta në Irak ishte një makth për gazetarët dhe atje u vranë qindra gazetarë", tha Bruttin duke shtuar se:
"Ne jemi të vetëdijshëm për natyrën e veçantë të konfliktit në Gaza, por për fat të keq ne e dimë se është një situatë shumë e zakonshme që gazetarët vendas të paguajnë një çmim shumë të lartë në konflikte që zënë shumë pak vend në shtypin ndërkombëtar".