Riadi dënon komentet e Netanyahut për krijimin e shtetit të Palestinës në Arabinë Saudite
“Ky mentalitet ekstremist, okupues nuk e kupton se çfarë do të thotë toka palestineze për popullin vëlla të Palestinës”, tha Ministria e Jashtme saudite
![Riadi dënon komentet e Netanyahut për krijimin e shtetit të Palestinës në Arabinë Saudite](https://cdnuploads.aa.com.tr/uploads/Contents/2025/02/09/thumbs_b_c_081427c8273048ecb6cba0ec427dc48f.jpg?v=112536)
Ankara
ANKARA (AA) - Arabia Saudite dënoi ashpër të dielën deklaratat e fundit të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, i cili kishte bërë thirrje për zhvendosjen e palestinezëve në territorin e mbretërisë, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë zyrtare, Ministria e Jashtme saudite ripohoi “refuzimin kategorik” të retorikës së tillë, duke theksuar se “populli palestinez ka të drejtë për tokën e tij dhe ata nuk janë ndërhyrës apo emigrantë në të që mund të dëbohen sa herë që pushtuesi brutal izraelit dëshiron”.
Riadi zyrtar deklaroi gjithashtu se “ky mentalitet ekstremist, okupues nuk e kupton se çfarë do të thotë toka palestineze për popullin vëlla të Palestinës”, dhe pohoi se Izraeli “nuk mendon se populli palestinez meriton të jetojë në radhë të parë”.
“Përkrahësit e këtyre ideve ekstremiste janë ata që e penguan Izraelin të pranonte paqen”, tha ministria, duke theksuar se Izraeli ka “ushtruar sistematikisht padrejtësi ndaj popullit palestinez për më shumë se 75 vjet”.
Duke përsëritur angazhimin e saj për një rezolutë paqësore, Arabia Saudite pohoi se “e drejta e popullit palestinez do të mbetet e vendosur dhe askush nuk do të jetë në gjendje t’ia heqë atë pa marrë parasysh sa kohë duhet”.
“Paqja e qëndrueshme nuk do të arrihet veçse duke iu rikthyer logjikës së shëndoshë dhe duke pranuar parimin e bashkëjetesës paqësore nëpërmjet zgjidhjes me dy shtete”, shtoi ajo.
Të enjten, Netanyahu sugjeroi që palestinezët duhet të krijojnë shtetin e tyre në Arabinë Saudite dhe jo në atdheun e tyre, duke hedhur poshtë çdo nocion të sovranitetit palestinez.
“Sauditët mund të krijojnë një shtet palestinez në Arabinë Saudite; ata kanë shumë tokë atje”, tha ai.
Më herët, më 4 shkurt, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se Washingtoni do të “marrë nën kontroll” Gazën dhe do të zhvendosë palestinezët në vende të tjera sipas një plani rizhvillimi që ai pretendoi se mund ta kthejë enklavën në “rivierën e Lindjes së Mesme”.
Propozimi i tij u prit me dënime të gjera nga palestinezët, vendet arabe dhe shumë kombe të tjera në mbarë botën, duke përfshirë Kanadanë, Francën, Gjermaninë dhe Britaninë.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.