Rifillojnë fluturimet në Iran pas pezullimit të shkurtër gjatë sulmit izraelit gjatë natës
Një zëdhënës i aviacionit civil njoftoi rifillimin e fluturimeve, duke këshilluar pasagjerët të qëndrojnë të përditësuar duke ndjekur mesazhet nga kompanitë ajrore
Teheran
Pas një pezullimi të shkurtër për shkak të sulmeve në disa qytete iraniane herët sot, fluturimet në Iran rifilluan në orën 9 të mëngjesit me kohën lokale, transmeton Anadolu.
Një zëdhënës i aviacionit civil njoftoi rifillimin e fluturimeve, duke këshilluar pasagjerët të qëndrojnë të përditësuar duke ndjekur mesazhet nga kompanitë ajrore.
Më herët, sipas mediave shtetërore iraniane, forcat e mbrojtjes ajrore të Iranit raportuan se sulmet izraelite kishin në shënjestër pozita në kryeqytetin Teheran dhe në dy provinca, duke pretenduar se ato i penguan me sukses këto sulme.
“Pavarësisht paralajmërimeve të mëparshme nga Republika Islamike ndaj regjimit kriminal sionist për t’u përmbajtur nga veprimet provokuese, ky regjim sulmoi sot në mëngjes objektet ushtarake në Teheran, Khuzestan dhe Ilam në një përshkallëzim të qartë”, theksuan forcat e mbrojtjes ajrore iraniane.
Sipas burimeve të sigurisë, sulmi filloi rreth orës 2:30 të mëngjesit me orën lokale, me banorët e Teheranit që raportuan zhurma të fuqishme nga mbrojtja ajrore.
Një zëdhënës i ushtrisë izraelite tha se operacioni kishte në shënjestër objektet e prodhimit të raketave të Iranit, sistemet e raketave tokë-ajër dhe infrastrukturën tjetër të mbrojtjes ajrore.
Autoritetet iraniane nuk kanë konfirmuar ende ndonjë dëm apo viktima nga sulmet, të cilat pasojnë sulmet me raketa të Iranit më 1 tetor ndaj objektivave në Tel Aviv dhe përreth.
Sulmi raketor i Iranit, sipas palës iraniane, ishte në përgjigje të vrasjeve të fundit të liderit të Hezbollahut, Hassan Nasrallah, liderit të Hamasit, Ismail Haniyeh dhe komandantit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), Abbas Nilforoushan.
Shtëpia e Bardhë tha se duhet t’u jepet fund shkëmbimeve të drejtpërdrejta të zjarrit midis dy palëve, duke paralajmëruar Teheranin për "pasoja" nëse ai përgjigjet.
Zyrtarët ushtarakë iranianë më herët kishin paralajmëruar se çdo sulm nga Izraeli do të përballej me një "përgjigje më të ashpër".
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.