Rilindja e katedrales së Parisit pas zjarrit: Notre-Dame vazhdon të tërheqë vizitorë pas restaurimit
Pas përfundimit të restaurimit pesëvjeçar pas zjarrit të vitit 2019, Katedralja Notre Dame ka rihapur dyert e saj për vizitorët dhe vizitohet nga turistë nga e gjithë bota

Shkup
Katedralja Notre Dame po vazhdon të tërheqë vizitorë nga e gjithë bota pasi u rihap për publikun, ndërsa vizitorët theksojnë rëndësinë e thellë kulturore dhe shpirtërore të monumentit parisien, raporton Anadolu.
Pas përfundimit të restaurimit pesëvjeçar pas zjarrit të vitit 2019, Katedralja Notre Dame ka rihapur dyert e saj për vizitorët dhe vizitohet nga turistë nga e gjithë bota.
Katedralja, një nga simbolet e Parisit që frymëzoi veprën e famshme të shkrimtarit francez Victor Hugo, "Katedralja e Parisit", përfundoi pas zjarrit që shpërtheu në vitin 2019. Ajo rihapi dyert e saj për vizitorët më 8 dhjetor 2024.
Procesi i restaurimit të katedrales, e ndërtuar mes shekujve 12 dhe 14, dhe ndërtimi i të cilit përfundoi pas rreth tre shekujsh, u përball me sfida deri në vitin 2021 për shkak të rreziqeve të sigurisë të shkaktuara nga zjarri dhe pandemisë COVID-19.
Ndërkohë, vizitorët që vijnë për të parë këtë monument, shprehin emocione dhe nënvizojnë rëndësinë kulturore të tij.
Irina Bellaye, artiste estoneze me bazë në Francë, e cila vizitoi katedralen për herë të parë pas rihapjes, tha se ajo jetonte pranë Notre-Dame në kohën e zjarrit.
"Dikush më tregoi një video dhe mendova se ishte një animacion. Nuk mund ta besoja se ishte e vërtetë. Ne u lutëm gjithë natën dhe më pas. Ishte jashtëzakonisht e trishtuar. E gjithë bota po qante ... ishte e tmerrshme", kujton Bellaya.
Wendy Real-Witz, studente që jeton në Paris, vizitoi gjithashtu katedralen për herë të dytë që kur u rihap.
"Padyshim që mund të ndieni se janë bërë modifikime brenda, por janë përpjekur sa më shumë që të jetë e mundur të qëndrojnë autentikë dhe të ruajnë një autenticitet të caktuar, një lloj spiritualiteti që ndihmoi gjithashtu në krijimin e kryeveprës që është sot", tha ajo.
Këto deklarata të vizitorëve erdhën menjëherë pasi presidenti francez Emmanuel Macron u dha Urdhrin Kombëtar të Meritës individëve që kontribuan në restaurimin e katedrales. Në një ceremoni të mbajtur në Paris, Macron vlerësoi përpjekjen kolektive si një simbol të forcës dhe unitetit kombëtar, duke thënë se projekti "demonstron atë që një komb është në gjendje të arrijë".