Mustafa Melih Ahıshalı
18 Shkurt 2018•Përditësim: 18 Shkurt 2018
STAMBOLL (AA) - Në avionin e rrëzuar të Kompanisë Ajrore Aseman në provincën Isfahan të Iranit pasi që ishte nisur nga kryeqyteti Teheran, udhëtonin 66 persona njëri prej tyre fëmijë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Muhammed Taki Tabatabayi, drejtor për marrëdhënie me publikun i kompanisë, në një deklaratë për televizionin shtetëror të Iranit, tha se "Në avion gjendeshin 66 persona, prej të cilëve 60 pasagjerë, mes tyre një fëmijë dhe 6 pjesëtarë të ekuipazhit".
Ai theksoi se avioni i pasagjerëve me dy motorë të llojit ATR është nisur nga Teherani në Yasuc në orën 08.00 me kohën lokale, ndërsa është humbur nga radari rreth orës 08.50.
- Vazhdojnë punimet për kërkimin e avionit të rrëzuar
Sipas njoftimit nga shtabi i emergjencës, thuhet se nuk është mundur të dërgohet helikopteri në rajon për shkak të borës dhe stuhisë, ndërsa punimet për kërkimin e avionit të rrëzuar në rajonin malor vazhdojnë nga toka.
Avioni i pasagjerëve i kompanisë ajrore Aseman që udhëtonte nga Teherani në Yasuc, ishte rrëzuar në qarkun Semirom të provincës Isfahan.
Kompanitë ajrore iraniane, janë duke shërbyer me avionët e blerë para vitit 1979 për shkak të sanksioneve të SHBA-ve ose duke blerë avionë të përdorur. Për shkak të mos rinovimit të flotës së avionëve është rritur rreziku nga aksidentet, ndërsa në 39 vitet e fundit kanë ndodhur mbi 200 aksidente të avionëve ku kanë humbur jetën mbi 2 mijë persona.