Rriten rastet e ngacmimeve seksuale në vendet skandinave
Suedia, ka reputacionin më të keq për ngacmimet seksuale dhe përdhunimet, ndërsa në Finlandë e cila ka një popullsi prej 5,5 milionë banorë çdo vit thuhet se rreth 50.000 gra janë të ekspozuara ndaj dhunës seksuale
Ankara
Në vendet skandinave, të cilat konsiderohen si të parat sa i përket barazisë gjinore në botë, tërheqin vëmendjen rastet e ngacmimeve seksuale dhe përdhunimeve.
Suedia, një nga vendet më të zhvilluara në rajon, ka reputacionin më të keq për ngacmimet seksuale dhe përdhunimet, ndërsa në Finlandë e cila ka një popullsi prej 5,5 milionë banorë çdo vit thuhet se rreth 50.000 gra janë të ekspozuara ndaj dhunës seksuale.
Në Norvegji, autoritetet janë kritikuar për dështimin për të ndërmarrë veprime adekuate për të parandaluar përdhunimin dhe krimet e tjera të dhunës seksuale, kurse në Danimarkë, shumica dërrmuese e rasteve të përdhunimit nuk raportohen në polici.
- Suedia është vendi më famëkeq në rajon për ngacmimet seksuale dhe përdhunimet
Vendi me reputacionin më të keq për ngacmimet seksuale dhe përdhunimet në rajon është Suedia, një vend me rreth 52.000 dollarë për frymë në vitin 2020.
Sipas të dhënave të Eurostat, agjencia statistikore e Bashkimit Evropian (BE), Suedia u rendit e para në listën e vendeve me numrin më të lartë të rasteve të përdhunimeve në Evropë midis viteve 2013 dhe 2017.
Zëdhënësja e Shtypit e Këshillit Kombëtar Suedez për Parandalimin e Krimit (BRA), Monica Landergard, ndau me Anadolu Agency (AA) të dhënat e një hulumtimi të kryer nga ky këshill.
Landergard duke theksuar se krimet e përdhunimit u rritën me 44 për qind nga viti 2011 në 2020 në Suedi, tha se hulumtimi i BRA-së tregon se afërsisht 25.000 njerëz u sulmuan seksualisht në vitin 2020 në një vend me një popullsi prej 10 milionë banorë, mes tyre 9.360 raste të përdhunimit.
- Në Finlandë çdo vit 50.000 gra i nënshtrohen dhunës seksuale
Në Finlandë e cila ka një popullsi prej 5,5 milionë banorë, numri i grave që janë viktima të dhunës seksuale çdo vit është në një nivel alarmues.
Raporti i publikuar nga Amnesty International në vitin 2019 zbulon se afërsisht 50.000 gra në Finlandë i nënshtrohen dhunës seksuale çdo vit dhe autorët kryesisht nuk dalin para drejtësisë.
Në Norvegji, ku rastet e ngacmimit seksual janë shtuar si në vendet e tjera skandinave vitet e fundit, autoritetet kritikohen se nuk kanë marrë masa adekuate për të parandaluar dhunimin dhe krimet e tjera të dhunës seksuale ose për t'u marrë me pasojat e këtyre krimeve.
Sipas të dhënave të vitit 2020 të kompanisë Statista, e cila siguron të dhëna statistikore në internet, ka pasur 1.756 raste përdhunimi në Norvegji vitin e kaluar dhe thuhet se në vitin 2015 ky numër ishte 1.286.
Thuhet se numri i rasteve të ngacmimit seksual të regjistruara në Norvegji në vitin 2020 është 6.874.
Gjithashtu vlerësohet se në vend mbizotërojnë opinionet që e bëjnë të vështirë për viktimat e përdhunimit të kontaktojnë policinë ose të kërkojnë kujdes mjekësor.
- Shumica e rasteve të përdhunimit në Danimarkë nuk raportohen në polici
Në Danimarkë, thuhet se shumica e rasteve të përdhunimit nuk raportohen në polici dhe probabiliteti i ndjekjes penale është shumë i ulët pas ankesës.
Nga 24.000 gra të dhunuara ose që kishte tentativë për përdhunim ndaj tyre në vend në vitin 2017, vetëm 890 paraqitën ankesë në polici, ndërkohë vetëm 94 raste rezultuan në dënime.
- "Shkalla e shtetasve të huaj është e lartë tek autorët e rasteve të ngacmimit seksual"
Ndërkohë, një studim i kryer nga Rrjeti Finlandez i Kërkimeve Rinore dhe Instituti i Kriminologjisë dhe Politikës Juridike i Universitetit të Helsinkit zbuloi se vendi ka një përqindje të lartë të shtetasve të huaj në autorë të rasteve me ngacmim seksual.
Në hulumtim, thuhet se 27 për qind e autorëve të ngacmimeve seksuale në vitet 2011-2020 dhe 15 për qind e autorëve të abuzimeve seksuale ndaj fëmijëve ishin shtetas të huaj.
Një studim tjetër i kryer nga Universiteti Lund në Suedi u përqendrua tek të dënuarit për përdhunim në vitet 2000-2015. Hulumtimi tregoi se 60 për qind e të dënuarve për përdhunim ishin shtetas të huaj.
Një shkencëtar i çështjeve sociale në Universitetin Lund, Ardavan Khoshnood, deklaroi se publikuan rezultatet e hulumtimit në maj 2021. "Ne kemi ekzaminuar 3.039 persona të dënuar për përdhunim në Suedi, ku 47 për qind prej tyre kanë lindur jashtë Suedisë dhe 13 për qind ishin me origjinë të huaj të lindur në Suedi", tha Khoshnood.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.