Bota

Rritet interesi për xhaminë "Eşrefoglu" në Konya, monument i trashëgimisë botërore të UNESCO-s

Xhamia, e cila kishte tërhequr 283 mijë vizitorë në vitin 2023, priti 411 mijë vizitorë në vitin 2024, pasi u pranua si një lokacion i trashëgimisë botërore nga UNESCO

Serhat Çetinkaya  | 19.02.2025 - Përdıtësım : 26.02.2025
Rritet interesi për xhaminë "Eşrefoglu" në Konya, monument i trashëgimisë botërore të UNESCO-s

Konya

Interesi i vizitorëve për xhaminë "Eşrefoğlu" në Konya, një strukturë nga periudha e Shtetit Selxhuk të Anadollit, që u përfshi në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në vitin 2023, vazhdon të rritet, raporton Anadolu.

Xhamia, e cila kishte tërhequr 283 mijë vizitorë në vitin 2023, priti 411 mijë vizitorë në vitin 2024, pasi u pranua si një lokacion i trashëgimisë botërore me titullin "Xhamia Mesjetare e Shtyllave dhe Trarëve të Drurit në Anadoll".

Xhamia, e ndërtuar në vitin 1299 nga Seyfeddin Süleyman Bey, themeluesi i Principatës Eşrefoğulları në Shtetin Selxhuk të Anadollit, i njohur edhe si Sulltanati Rum, konsiderohet të jetë ndër shembujt më të avancuar dhe më shquar të xhamive me shtylla druri dhe çati të sheshtë, e projektuara në stilin e "Xhamive të Mëdha" (Ulu cami) në përputhje me traditën e periudhës së selxhukëve.

Xhamia 726-vjeçare, fasada e së cilës është prej guri të prerë, i kthen vizitorët e saj shekuj pas me tavanin e saj prej druri të mbështetur në 48 shtylla druri, dekorime prej druri dhe qeramike, një foltore të punuar me art "kundekari", vetmitoren dhe mahfilin (platformë e ngritur).

Hüseyin Musmal, profesor në Departamentin e historisë në Universitetin Selcuk, tha për Anadolu se edhe para se xhamia të futej në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, ajo ishte një vepër e njohur në Türkiye për tiparet e saj dhe e vizituar nga të interesuarit.

"Ishte shumë e rëndësishme që xhamia jonë të përfshihej në këtë listë. UNESCO jo vetëm që i liston dhe promovon këto vepra, por krijon standardet e nevojshme për vazhdimësinë e tyre", tha Musmal, duke shtuar se deri më tani, 21 monumente gjenden në listën e UNESCO-s.

Ai tha se pas përfshirjes në listë, xhamia "Eşrefoğlu" filloi të shndërrohej në një monument me famë botërore.

Ndërkaq, Zeki Coşkun, zyrtar fetar, tha se xhamia në fjalë është vepër e rrallë në rajonin e Anadollit.

"Ka pak vepra të ngjashme, por asnjë nga këto përmasa apo lartësi. Është gjithashtu e vetmja vepër që ka ruajtur origjinalitetin e saj. Nuk i është nënshtruar asnjë tërmeti, zjarri apo fatkeqësie përmbytjeje. Mbetet si ka qenë. Është restauruar disa herë. Numri i vizitorëve, i cili ishte 283 mijë në vitin 2023, është rritur në 411 mijë", tha Coşkun, duke shtuar se krahas turistëve të huaj, ka rritje të konsiderueshme edhe në numrin e vizitorëve vendas.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın