Bota

Rritet në 113 numri i të vdekurve nga shembja e çatisë së klubit të natës në Republikën Dominikane

Autoritetet pranuan se 155 persona janë lënduar dhe se asnjë i mbijetuar nuk është gjetur në rrënoja

Laura Gamba Fadul  | 09.04.2025 - Përdıtësım : 10.04.2025
Rritet në 113 numri i të vdekurve nga shembja e çatisë së klubit të natës në Republikën Dominikane

Bogota

Numri i të vdekurve nga shembja e çatisë në një klub nate në Santo Domingo, kryeqyteti i Republikës Domenikane, është rritur në 113, thanë autoritetet, transmeton Anadolu.

Çatia e ambientit të “Jet Set” u shemb herët në mëngjesin e së martës gjatë një shfaqjeje nga këngëtari i njohur i muzikës “merengue” Rubby Perez.

“Numri i të vdekurve është rritur në 113 deri mëngjesin e sotëm”, tha Juan Manuel Mendez, drejtor i Qendrës së Operacioneve Emergjente, i cili gjithashtu konfirmoi vdekjen e Perezit në incident.

Autoritetet pranuan se 155 persona janë lënduar dhe se asnjë i mbijetuar nuk është gjetur në rrënoja deri të martën. Ata kanë frikë se numri i të vdekurve do të rritet më tej, sepse ka pasur qindra njerëz brenda lokalit.

Përafërsisht 400 reagues të parë, të mbështetur nga brigada nga Porto Riko dhe Izraeli, si dhe makineri të rënda, qen kërkimi, dronë dhe pajisje të tjera të specializuara, janë angazhuar në përpjekjet e shpëtimit.

Midis viktimave janë guvernatorja e provincës Nelsy Cruz dhe dy ish-lojtarë të bejzbollit të Major League, Octavio Dotel dhe Tony Blanco.

Presidenti Luis Abinader ka përcjellë ngushëllimet e tij për familjet e prekura dhe ka shpallur tri ditë zie.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın