Rritet në 95 numri i vdekjeve si pasojë e përmbytjeve në Spanjë
Shërbimet kompetente gjithashtu informuan se ekipet e shpëtimit janë në kërkim të dhjetëra personave të zhdukur, kryesisht në rajonin e Valencias
Madrid
Të paktën 95 persona kanë humbur jetën si pasojë e përmbytjeve në rajonet lindore dhe jugore të Spanjës në dy ditët e fundit, ndërkohë kërkimi për fëmijët e zhdukur vazhdon, raporton Anadolu.
Qendra e Kontrollit Operacional nën kujdesin e qeverisë autonome në Valencia raportoi se të paktën 92 njerëz u vranë në atë rajon. Tre të vdekur të tjerë u raportuan në Castilla-La Mancha, rajoni i dytë më i goditur pas Valencias.
Shërbimet kompetente gjithashtu informuan se ekipet e shpëtimit janë në kërkim të dhjetëra personave të zhdukur, kryesisht në rajonin e Valencias.
Xhandarmëria njoftoi se rreth 1.200 persona në këto zona janë ende të bllokuar në vendet e tyre për shkak të përmbytjeve dhe se mbi 5 mijë automjete janë ende të bllokuara në autostradë.
Qeveria autonome e Valencias tha gjithashtu se fluturimet e sotme janë anuluar ose aeroplanët janë dërguar në aeroportet më të afërt për shkak të përmbytjeve në aeroportin e qytetit të Valencias.
Autoritetet deklaruan se kushtet e pafavorshme të motit në rajonet lindore dhe jugore të Spanjës, ku në disa vende ranë deri në 500 litra shi për metër katror, shkaktuan shumë dëme. Zonat bujqësore u përmbytën, qindra automjete u dëmtuan, shumë rrugë dhe ura u shembën, si dhe u shfaqën probleme serioze në trafikun tokësor dhe hekurudhor.
Sipas vlerësimit të parë të Agjencisë Kombëtare Meteorologjike (Aemet), Valencia po kalon "periudhën më të keqe të shekullit" për shkak të shirave të dendur dhe stuhive, ndërsa Castilla-La Mancha dhe Andaluzia vazhdojnë të shënojnë rritje të nivelit të ujit në lumenj.
Kjo është sasia më e lartë e reshjeve për metër katror në Valencia që nga viti 1996.
Autostrada midis Madridit dhe Valencias është e mbyllur për trafikun, ndërsa shërbimet e trenave janë pezulluar.
Mbrëmjen e djeshme, qeveria spanjolle ka formuar Shtabin e Krizave për shkak të humbjeve të jetës dhe pronave si pasojë e kushteve të pafavorshme atmosferike.
Angel Victor Torres, ministeër i Qeverive Autonome dhe Politikave Rajonale në qeverinë spanjolle, i cili gjithashtu menaxhon departamentin e krizës, njoftoi se për shkak të fatkeqësisë është shpallur tre ditë zie kombëtare.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.