Fatjon Cuka
06 prill 2016•Përditësim: 07 prill 2016
TIRANË (AA) - Në Malësinë e Madhe të qarkut të Shkodrës mësohet se është rrëzuar një helikopter, i cili ka përfunduar në ujërat e liqenit të Shkodrës. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në afërsi të fshatit Grishë të Malësisë së Madhe, ku kanë mbetur të vdekur dy pjesëtarë të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Nga ky aksident kanë humbur jetën dy persona, Florian Delia dhe Donald Hoxha, ndërsa një tjetër ka mbetur i plagosur. Plani i fluturimit të helikopterit EC 145, me numër bordi 637, sipas Ministrisë së Mbrojtjes kishte tre persona në ekuipazh, përkatësisht kapiten Florian Deliaj, toger Donald Hoxha, të cilët kanë humbur jetën dhe ushtar profesionist Gerald Baramuca, që ka mbetur i plagosur.
Nga burimet zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes të Shqipërisë mësohet se në orën 13:45 ka qenë kontakti i fundit që helikopteri ka pasur me Qendrën e Kontrollit dhe Raportimit në Rinas, i cili ishte në atë zonë për qellime stërvitore.
Pas humbjes së kontaktit, është nisur drejt zonës ku u humb kontakti një helikopter kërkim – shpëtimi. Ministri i Mbrojtjes dhe ministri i Shëndetësisë janë nisur drejt Spitalit Rajonal të Shkodrës ku ndodhet njëri prej pjesëtarëve të ekuipazhit, Gerald Baramuca.