Elena Teslova
16 Shkurt 2023•Përditësim: 17 Shkurt 2023
Ministria e Punëve të Jashtme e Rusisë ka shpallur persona të padëshiruar katër diplomatë austriakë, raporton Anadolu.
Më herët, Austria kishte lëshuar një urdhër për dëbimin e katër diplomatëve rusë, pas çka Ministria e Punëve të Jashtme e Rusisë thirri në bisedë ambasadorin austriak në Moskë, Werner Almhofer.
“Ky hap armiqësor dhe i pajustifikuar ka shkaktuar dëme serioze në marrëdhëniet dypalëshe, të cilat tashmë janë në krizë për shkak të veprimeve të palës austriake”, thuhet në njoftimin e ministrisë ruse.
Në përgjigje të veprimit të Austrisë, Rusia shpalli katër diplomatë austriakë persona të padëshiruar dhe ata duhet të largohen nga Rusia deri më 23 shkurt.
“Ambasadorit gjithashtu ia tërhoqëm vërejtjen për vështirësitë në dhënien e vizave për delegacionet zyrtare ruse që udhëtojnë në Vjenë për të marrë pjesë në aktivitete shumëpalëshe, gjë që është në kundërshtim me detyrimet e Austrisë si vend për takime ndërkombëtare. Kjo situatë gjithashtu nuk do të mbetet pa pasoja”, tha Ministria e Punëve të Jashtme e Rusisë.