Elena Teslova
27 maj 2026•Përditësim: 27 maj 2026
Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Rusisë ka njoftuar se shefi i saj, Alexander Gutsan dhe ministrja kineze e Drejtësisë, He Rong, nënshkruan një memorandum që synon thellimin e bashkëpunimit juridik mes dy vendeve, transmeton Anadolu.
Në njoftim thuhet se ceremonia e nënshkrimit të memorandumit të bashkëpunimit mes Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm të Federatës Ruse dhe Ministrisë së Drejtësisë të Republikës Popullore të Kinës u mbajt në Pekin pas një takimi mes dy zyrtarëve.
“Forcimi i kontakteve dypalëshe, puna efektive brenda mekanizmave ekzistues të bashkëpunimit dhe krijimi i kanaleve të drejtpërdrejta të komunikimit luajnë rol të rëndësishëm në këtë drejtim”, tha Gutsan, duke theksuar se memorandumi i bashkëpunimit ishte përgatitur pikërisht për këtë qëllim.
Siç tha Gutsan, dokumenti parashikon shkëmbimin e informacionit për një gamë të gjerë çështjesh, si dhe vizita reciproke, konsultime dhe iniciativa të përbashkëta kërkimore.
“Është e rëndësishme që ramë dakord të koordinojmë qëndrimet dhe veprimet tona në platformat shumëpalëshe ndërkombëtare”, shtoi ai.
Si hapin e ardhshëm në zhvillimin e mekanizmave dypalëshe, prokurori i përgjithshëm rus propozoi hartimin e një programi të përbashkët bashkëpunimi që do të bashkërendonte përpjekjet në fusha kyçe, përfshirë luftën kundër krimit ndërkufitar, digjitalizimin në zbatimin e ligjit dhe përdorimin e teknologjive të inteligjencës artificiale.
Gutsan gjithashtu shprehu bindjen se përfshirja e institucioneve arsimore të departamenteve përkatëse dhe kapaciteteve të tyre kërkimore do të kontribuonte në arritjen e “rezultateve të larta”.