Bota

Rusia dhe Ukraina akuzojnë njëra-tjetrën për shkelje të armëpushimit të Pashkëve

Dje, Putin shpalli një armëpushim 30-orësh në luftën e vazhdueshme në Ukrainë, duke argumentuar se suksesi ose dështimi i armëpushimit do të tregojë gatishmërinë dhe kapacitetin e Kievit për të kërkuar një zgjidhje paqësore të konfliktit

Burç Eruygur  | 20.04.2025 - Përdıtësım : 21.04.2025
Rusia dhe Ukraina akuzojnë njëra-tjetrën për shkelje të armëpushimit të Pashkëve

Istanbul

Moska dhe Kievi kanë akuzuar njëri-tjetrin për shkelje të armëpushimit të Pashkëve të shpallur në mënyrë të njëanshme nga presidenti rus, Vladimir Putin, transmeton Anadolu.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, në platformën sociale X tha se nga ora 6:00 e mëngjesit të sotëm në drejtime të ndryshme të vijës së frontit, ka pasur tashmë 59 raste të bombardimeve ruse dhe pesë sulme nga njësitë ruse.

Duke akuzuar Moskën se po përpiqet të krijojë një “përshtypje të përgjithshme” për një armëpushim, Zelenskyy tha se Moska duhet të përmbushë plotësisht kushtet e armëpushimit.

Zelenskyy po ashtu pohoi se mes fillimit të armëpushimit dhe mesnatës së të dielës ka pasur më shumë se 300 raste të bombardimeve dhe 19 sulme ndaj Ukrainës nga forcat ruse, duke shtuar se dronët gjithashtu u përdorën 290 herë gjatë kësaj periudhe.

“Propozimi i Ukrainës për të zbatuar dhe zgjatur armëpushimin për 30 ditë pas mesnatës sonte mbetet në tavolinë. Ne do të veprojmë në përputhje me situatën aktuale në terren”, tha ai.

Mbrëmë, presidenti ukrainas pretendoi se luftimet midis Moskës dhe Kievit vazhduan në rajonet kufitare të Rusisë, përkatësisht në Kursk dhe Belgorod.

“Ajo që ka më shumë rëndësi tani është se më në fund është e qartë se kush ka qenë me të vërtetë shkaku i kësaj lufte gjatë gjithë kohës. Në momentin që Putin urdhëroi reduktimin e intensitetit dhe brutalitetit të sulmeve, luftimet dhe vrasjet u zvogëluan. Shkaku i kësaj lufte dhe i zgjatjes së saj qëndron te Rusia”, tha ai.

Dje, presidenti Putin shpalli një armëpushim të njëanshëm 30-orësh në luftën e vazhdueshme në Ukrainë, duke argumentuar se suksesi ose dështimi i armëpushimit do të tregojë gatishmërinë dhe kapacitetin e Kievit për të kërkuar një zgjidhje paqësore të konfliktit.

Armëpushimi filloi në orën 18:00 me orën e Moskës dhe do të vazhdojë deri në mesnatën e të hënës.


- Reagon edhe Moska

Disa orë pas komenteve të presidentit Zelenskyy, po ashtu edhe Moska akuzoi në lidhje me shkeljen e armëpushimit, duke pretenduar se Kievi nisi sulmet gjatë natës në pozicionet ushtarake ruse pranë vendbanimeve të vijës së parë të frontit, përkatësisht në Sukha Balka dhe Bahatyr, të dyja të vendosura në rajonin lindor ukrainas Donetsk.

Duke pretenduar se të gjitha trupat ruse kanë respektuar rreptësisht armëpushimin që nga shpallja e tij, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë akuzoi Ukrainën për lëshimin e 48 dronëve gjatë një sulmi gjatë natës.

Ministria ruse akuzon Ukrainën se gjithashtu ka sulmuar pozicionet ushtarake ruse duke përdorur armë dhe mortaja 444 herë që nga fillimi i armëpushimit.

Po ashtu pretendoi se Kievi kreu më tej se 900 sulme me dronë, si dhe hodhi municione të ndryshme në zonat kufitare në rajonet Belgorod, Bryansk dhe Kursk të Rusisë.

“Si rezultat ka viktima dhe lëndime civile, si dhe dëmtime të objekteve civile”, theksoi ministria ruse.

Nga ana tjetër, Rodion Miroshnik, ambasadori i përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, në rrjetet sociale pohoi se që nga fillimi i armëpushimit Kievi filloi sulme të shumta në territoret e kontrolluara nga Moska në rajonet Donetsk, Kherson dhe Luhansk të Ukrainës.

Në disa komente të mëvonshme në një emision politik, Miroshnik përsëriti se raportet mbi shkeljet e supozuara të Ukrainës vazhdojnë të mbërrijnë, duke argumentuar se këto raporte tregojnë paaftësinë e Kievit për të zbatuar ndalimin e armiqësive.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.