Burç Eruygur
02 tetor 2026•Përditësim: 02 tetor 2026
Rusia të premten mirëpriti tërheqjen e forcave të fundit amerikane nga Iraku, duke shënuar përfundimin e më shumë se dy dekadave të përfshirjes ushtarake amerikane në vend, transmeton Anadolu.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të mediave, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, tha se tërheqja është zbatuar në përputhje me vendimin e parlamentit irakian të janarit 2020.
Ajo tha se vendimi i parlamentit pasqyronte “aspiratën e popullit irakian për të rikthyer dhe konsoliduar sovranitetin shtetëror pas pranisë së zgjatur të forcave të huaja”.
“Prania e tyre në fakt ka vazhduar që nga viti 2003, që nga momenti i pushtimit amerikan nën një pretekst krejtësisht të sajuar, i cili ka shkaktuar dekada paqëndrueshmërie në gjithë rajonin”, tha Zakharova në një deklaratë
Sipas saj, tërheqja, të cilën Moska e mirëpret, tregon se ushtria dhe forcat irakiane të sigurisë janë të afta të forcojnë mbrojtjen dhe sigurinë kombëtare të vendit, si dhe të përballen me organizatën terroriste ISIS (DEASH_.
Zakharova tha se Rusia është e bindur se populli irakian mund t'u bëjë ballë sfidave të brendshme dhe të jashtme, ndërsa garantoi se Moska mbetet e përkushtuar ndaj marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe koordinimit me Bagdadin.
Ajo gjithashtu rikonfirmoi “Konceptin rus të Sigurisë Kolektive për Rajonin e Gjirit”, duke theksuar se vendet e rajonit, përfshirë Irakun, duhet të kenë rol udhëheqës në garantimin e stabilitetit.
Të mërkurën, Pentagoni njoftoi se SHBA-ja dhe partnerët e koalicionit “kanë përfunduar zyrtarisht operacionin ‘Inherent Resolve’ në Irak”. Forcat amerikane dhe të koalicionit u larguan në mënyrë të organizuar nga Baza Ajrore e Erbilit.
Bagdadi dhe Washingtoni kishin rënë dakord në shtator 2024 për t'i dhënë fund misionit ushtarak të koalicionit në Irak, sipas një afati kohor që parashikonte përfundimin e tij deri në fund të shtatorit 2026, duke kaluar më pas drejt marrëdhënieve dypalëshe të sigurisë.
Koalicioni u krijua në vitin 2014 nën udhëheqjen e SHBA-së, pasi ISIS-i pushtoi zona të mëdha të Irakut. Bagdadi njoftoi në dhjetor 2017 se kishte rivendosur kontrollin e plotë mbi territorin e vendit.
SHBA-ja e pushtoi për herë të parë Irakun në vitin 2003 me qëllim rrëzimin e regjimit të Saddam Husseinit dhe i tërhoqi trupat e saj në fund të vitit 2011.